Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj për koeficientin: Qeveria i vuri vulë mashtrimit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria i vuri vulë mashtrimit me vlerën e koeficientit (105) për pagat bruto në sektorin publik që u publikua të mërkurën.

Siç ka thënë Haradinaj, Qeveria e fshehu me qëllim koeficientin për t’i zënë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim.

“Përndryshe, sot qeveria i vuri vulë mashtrimit. Fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t'i zë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim. E ata janë shumë! Krejt ky veprim i qeverisë, në mënyrë që të sabotojë mundësinë për sfidimin dhe shfrytëzimin e proceseve dhe mekanizmave ligjorë kundër këtij ligji i cili nëpunësit dhe profesionistët shtetërorë i trajton si 'armiqësorë', i anatemon”, ka shkruar ai në Facebook.

Haradinaj ka pretenduar se shumica e sektorit publik do të marrë pagat që i kanë marrë deri tani, por sipas tij, qëllimi i Qeverisë ka qenë të nxisë përplasje mes përfaqësuesve të ndryshëm sektorialë.

“Kishte për qëllim t'i fusë në debate dhe përplasje edhe përfaqësuesit e ndryshëm sektorialë, duke bërë rritje të kamufluara për disa sektorë, nivele dhe pozita, përderisa shumicës ia konfirmon ato paga që i kishin tashmë. Ligii sipas këtij koeficenti ka krijuar terren për keqkuptime ndaj kundërshtimeve opozitare të një vendimmarrjeje qeveritare arbitrare dhe përjashtuese. Kjo qasje është fyese! Ky koeficient është alarmues dhe mashtrues!”, ka shkruar Haradinaj.

Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik do të jetë 105 euro. Ligji i Pagave që hyn në fuqi pas pak ditësh rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorët e sektorit publik.

Ligji parasheh kompensim për kujdestari, për punën gjatë natës e për punë jashtë orarit. Ndërsa ulja e nivelit të pagës parashihet vetëm në dy raste, të tronditjes makroekonomike a të fatkeqësisë natyrore.

Edhe Azemi e quan "qesharak" vendimin për ndarjen e nga 100 eurove për sektorin privat Arbëri 2 muaj më parë Azemi e quan "qesharak" vendimin për ndarjen e nga 100 eurove për sektorin privat

Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, që sivjet është rritur edhe për paga e shtesa për 75 milionë euro në raport me vitin e shkuar.

Të mërkurën Qeveria ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Buxhetin, që do të shkojnë për miratim në Kuvend. Pagat e reja do të dalin nga ky muaj, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Ai ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm vlera e koeficientit do të jetë 110.