Arbëri

Haradinaj nuk e përjashton mundësinë e rrëzimit të qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka përjashtuar mundësinë e prishjes së koalicionit dhe rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, nëse vazhdojnë mospajtimet politike, derisa ka ripërsëritur se taksa nuk do të hiqet para marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Haradinaj këto komente i bëri, pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, ku theksoi se është i interesuar për marrëveshje me Serbinë por pa shkëmbim territoresh dhe asociacion.

“Me rëndësi është që Kosova të qëndrojë në këmbë. Unë jam për një marrëveshje me Serbinë, por pa çmimin e territorit dhe asociacionit. Taksa është vendim sovran i Qeverisë, ne nuk e kushtëzojmë dialogun me një vendim të qeverisë së Serbisë. Nuk e kuptoj pse ndërlidhen temat, ky është një vendim i brendshëm i Qeverisë së Kosovës. Jam që të kthehet në tavolinë dialogu, por vendimet tona janë sovrane”, është shprehur Haradinaj, raporton KTV.

Ai gjithashtu ka folur edhe për takimin mes liderëve të koalicionit qeverisës.

“Takimi i djeshëm mes partnerëve të koalicionit ishte për të gjitha sfidat që na presin. Është krijuar një bindje që taksa është pengesë për dialogun, na kërkohet edhe nga ambasadori amerikan heqja e taksës. I dëgjojmë me kujdes këto mendime. Dëshira është që të vazhdojmë me dialogun por nuk e kuptoj pse ndërlidhen këto dy tema. Unë them se tavolina e heq taksën, por jo taksa tavolinën. Nuk është në rregull me i vendos kushte Kosovës për tavolinë”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar gjithashtu se, “Mogherini mundet me e thirr tavolinën kur e vlerëson, por nuk është e ndërlidhur taksa me dialogun”.

Haradinaj nuk e ka përjashtuar rrëzimin e Qeverisë, nëse vazhdojnë mospajtimet politike.

“Tash ne jemi në procese reale politike, të gjitha janë të mundshme në këto ditë, javë që po vijnë. Dëshira ime është që të shtunën të kryejmë disa detyra për vendin e që është buxheti. Nëse mospajtimet politike vazhdojnë mund të rezultojë edhe me të arritura të tjera, çfarëdo qofshin ato”, ka thënë Haradinaj.