Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk e di saktë se çfarë do të diskutohet sot mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sonte, 8 nëntor, pritet takimi ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.
Sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, nëse BE-ja nuk liberalizon vizat për kosovarët, atëherë Thaçi duhet ta analizojë nëse duhet vazhduar me bisedimet, transmeton ksp.
Kështu Haradinaj u shpreh në konferencën e mbajtur për media pas takimit të Këshillit Ministror për Integrim Evropian ku u dakorduan prioritetet e ERA-s, si dhe u vendosën prioritete për ERA 2.
“Takimi i radhës Thaçi- Vuçiq është një agjendë ekzistuese e zonjës Mogherini, nuk di saktë se çka do të shtrohet për diskutim, kuptohet që është dialogu, por nuk di saktë, ajo çka më bën përshtypje është se meqenëse dialogut po i jepet kaq rëndësi në vazhdimësi nga BE-ja, nga palët tjera mund të thuhet se Kosova vërtetë është treguar shumë e aplikueshme për dialog. Dhe do të ishte shumë keq që njërës palë të dialogut në këtë rast Kosovës dhe zotit Thaçi t’i thuhet ‘ti hajde në dialog por qytetarët e tu nuk do të marrin liberalizim’. Edhe zoti Thaçi atëherë është mirë të analizojë vet se çfarë të bëjë, a duhet me vazhduar me shkuar në këto takime kështu edhe a duhet me pranuar që çdo agjendë e vendit të vet me ju bart në disponimin e shtetit fqinj”, tha Haradinaj.