Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se është bërë i dëmshëm dhe zullumqar në raport me vendimet e tij që kanë të bëjnë me vendin e popullin.
Sipas Haradinajt, pasojat do të vijnë tash për shkak të pozicionimit të papërgjegjshëm të Kurtit në raport me pothuaj të gjitha temat që kanë të bëjnë me vendin.
“Vendimet e tij në sferën e ekonomisë, të sigurisë, të arsimit, të dialogut, të marrëdhënieve me partnerët strategjikë, tashmë janë bërë barrë e rëndë për vendin e për popullin. Në këtë rrafsh duhet parë edhe vendimin e fundit të Gjykatës së Drejtësisë të BE për përjashtimin e Kosovës nga Organizata e Rregullatorëve Evropianë të Telekomunikacionit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook të martën.
Haradinaj ka theksuar se për shkak të pozicionimit të gabuar të Kurtit është kthyer me urgjencë tema e Asociacionit dhe avantazhi i Serbisë në dialog.
“Qasja e tij e gabueshme ka bërë që Komuniteti Ndërkombëtar, më me simpati ta shohë Serbinë së sa Kosovën. Veç Albin Kurti ka arritur që xhelatin ta shndërrojë në viktimë. Ai me para të taksapaguesve shkon në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, gjoja për të folur për investimet e huaja në Kosovë, madje organizon edhe një Samit të Investitorëve në Cyrih, ndërsa paratë e buxhetit i ka mbyllur në bunker dhe ekonominë e ka llom. Kjo më e pakta është hipokrizi. Ai jo vetëm që parat e buxhetit nuk i kthen tek qytetari, por atyre iu ka pamundësuar që në këtë kohë të rëndë ekonomike e sociale, ta marrin një pjesë nga paratë e kursyera të Trustit, që janë të tyre”, ka shkruar tutje Haradinaj.