Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj kritikon Kurtin për krizën energjetike: Ku i kishe mendtë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe partinë në pushtet Vetëvendosjen, për krizën energjetike në vend.

Haradinaj në një postim në Facebook ka pyetur se “ku i kishin mendtë Kurti e VV”, që kanë kundërshtuar gazjellësin, e nuk po ashtu nuk janë marrë gjatë verës me çështjen e energjisë, ndërsa tash thotë se po paguhen deri 620 euro për megavat nga tregjet e shteteve fqinje.

“Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e kundërshtonte me forcë investimin 1.2 miliardë dollarë për 500 megavatë energji, të çmimit deri në 86 euro për megavat, investim që do të hapte vende të punës dhe do ta kthente Kosovën në fuqi rajonale të energjisë? Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e refuzuan investimin amerikan, 200 milionë dollarë falas, të aprovuara nga Presidenti Biden për gazsjellësin Shkup - Prishtinë? Ku i kishin mendtë Kurti e VV-ja gjatë verës që nuk u morën me KEK, KOSTT, KEDS e KESCO, për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, por e pritën dimrin e ftohtë? Ku i ka sot mendtë Kurti e VV-ja, kur paguan deri në 620 euro për megavat nga tregjet e shteteve fqinje? Kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh? A e kanë merituar ata që e votuan VV-në dhe Kurtin? A ia kishin borxh Kurtit terrin dhe të ftohtit? Për këtë dimër po e shohim, reduktime, terr, të ftohtë. Si do të jetë dimri i ardhshëm me këta njerëz e me këtë mendësi të tyre?” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.