Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Komuniteti ashkali pati angazhim të sinqertë për avancimin e Kosovës

Është organizuar sot në Prishtinë, konferenca ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Ashkali, në patronatin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit dhe të cilën e hapi vet kryeministri Ramush Haradinaj,

Ai me këtë rast tha se “ashkalinjtë jetojnë me shekuj në Kosovë dhe janë popull besnik ndaj Kosovës. Ashkalinjtë e kanë historinë e vet dhe simbolin kombëtar, flasin gjuhën shqipe dhe kanë tradita të njëjta me popullin shqiptar”, tha Haradinaj, duke shtuar se ky komunitet pas lufte ka qenë aktiv në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës.

Kryeministri, duke shprehur urimin për Ditën e Flamurit të Ashkalive, 15 shkurtin dhe që në Kosovë ka nisur të shënohet që 15 vite, tha se ngjyrat e flamurit ashkali simbolizojnë paqen, besnikërinë, por edhe unitetin dhe gjithashtu falënderoi këtë komunitet për një angazhim të sinqertë në avancimin e Kosovës.

“Ju kemi ende borxh ashkalinjëve, ende duhet punë për përmirësimin e gjendjes, por do të punojmë ngushtë me deputetët e zgjedhur që të përmirësojmë pozicionin e ashkalinjëve në banim, shkollim, punësim, dhe në pjesëmarrjen në jetën institucionale”, tha kryeministri.

Danush Ademi dhe Etem Arifi, përfaqësues të komunitetit ashkali në Kuvendin e Kosovës, thanë se komuniteti ashkali është përfshirë mirë në Qeverinë e Kosovës, duke i mbrojtur të drejtat e komunitetit në çdo aspekt.