Përfaqësues nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mbajtën sot në Prishtinë një tubim me rininë e kësaj partie, ku u tha se 2017-ta, është vit i zgjedhjeve dhe ndryshimeve të mëdha në Kosovë.
Gjithashtu u tha se ky është edhe vit i fundit i AAK-së në opozitë, pasi është kuptuar se vendi do të ketë perspektivë, vetëm kur drejtohet nga Ramush Haradinaj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDeputeti i Kosovës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj tha para të rinjve se Qeveria aktuale do të mbahet mend për largimin e mbi 100 mijë njerëzve nga Kosova.
“Ky është vit i zgjedhjeve dhe natyrisht shumica e barrës bie mbi rininë sepse rinia janë promotor i shumë ndryshimeve dhe unë besoj shumë që rinia do të jetë edhe në të ardhmen e afërt, sepse ne besojmë shumë që ky vit do jetë vit i ndryshimeve të mëdha, jo vetëm në zgjedhje lokale, komunale por do të jetë vit kur do të ndryshohet situata e keqqeverisjes, sepse këta njerëz që qeverisin Kosovën, e para e punë nuk e duan këtë vend, nuk mendojnë për njerëzit e Kosovës, nuk e kanë dert se në çfarë gjendje është ka jeton populli i Kosovës”, tha ai, raporton KP.
Haradinaj po ashtu shprehu bindjen se Ramush Haradinaj do kthehet së shpejti dhe do të marrë timonin e ndryshimeve të mëdha në Kosovë.
Ndërsa, nënkryetari i partisë i AAK-së, Gazmend Abrashi tërhoqi paralele mes Kosovës së tashme dhe atë para 20 viteve, duke vënë në pah se para 20 vitesh Kosova ka qenë më mirë në shumë aspekte.
Abrashi gjithashtu përmendi shembullin e Izraelit si një shtet i vogël i cili e ka zhvilluar ekonominë dhe tha se ai është një model që Kosova duhet ndjekur.
I pyetur nga të pranishmit rreth vizioneve të AAK-së, ai i përmendi katër sosh që janë më prioritare.
“Projekti numër një edhe projekt elementar ka me qenë projekti i Trepçës. Parashihen ndërtimi i metalurgjisë së zinkut dhe plumbit në qytetin e Mitrovicës e cila ndërlidhë shumë kapacitete që kanë të bëjnë me qytetet më të mëdha të Kosovës me idenë që në mandatin e parë t'i shtimë 5.500 njerëz në punë, kryesisht në rrethinë të Mitrovicës edhe përmes kapaciteteve të zinkut dhe plumbit t’u japim shtytje fabrikat të cilat janë privatizu dhe sot e kësaj dite kanë mbet në gjendje të mjerueshme për shkak të mungesës së lëndës së parë”, tha Abrashi.
Tri projektet tjera sipas Abrashit janë kthimi nën kontroll të plotë i liqenit të Gazivodës, vendosja e gazsjellësit në Kosovë dhe ndërlidhja me gazin në regjion, si dhe inicimi i projektit të kogjenerimit të ngrohjes qendrore në shtatë qendrat më të mëdha në Kosovë.
Kryetarja e Aleancës së të Rinjve të Kosovës, Diellza Hoti tha para të pranishmëve se viti 2017 është viti i fundit për AAK-në si opozitë.
“Neve shumë shpejtë na presin përgjegjësi dhe detyra të reja, sepse definitivisht ky është viti i fundit për neve si opozitë, kjo për shkak se të gjithë e kanë kuptuar se ky vend do të ketë përmirësime dhe perspektivë vetëm atëherë kur do të udhëhiqet nga një njeri i madh si Ramush Haradinaj”, tha ajo.
Deputeti Haradinaj i pyetur nga të pranishmit nëse AAK-ja do të bënte ndonjë koalicion parazgjedhor, tha se partia e tij vetëm se ka një koalicion me partinë NISMA, dhe se “koalicioni më i mirë që AAK-ja ka është ai me rininë e Kosovës”.