Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe grupi i miqësisë Parlamentare Kosovë – Mbretëri e Bashkuar është dëshmi e bashkëpunimit.
Këtë e ka thënë në një takim me grupin e miqësisë Parlamentare, me anëtarët e Parlamentit, Martin Vickers, udhëheqës i Grupit të Miqësisë, John Grogan bashkëudhëheqëse e Grupit dhe Ian Paiselyn.
Sipas njoftimit nga kryeministria, “Haradinaj ka njoftuar parlamentarët me progresin e Kosovës, për përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, tërheqjen e investitorëve të huaj, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rrugën euroatlantike të saj, duke theksuar se Kosova është e interesuar të zgjerojë partneritetin ekonomik”.
Duke folur për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe duke kërkuar mbështetjen për liberalizmin e vizave, Haradinaj u ka thënë parlamentarëve nga Mbretëria e Bashkuar se me liberalizimin e vizave vendet perëndimore do të kenë më shumë ekonomi dhe më shumë këmbime.
Gjatë takimit, Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve angleze dhe atyre që udhëhiqen nga diaspora shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kryeministri Haradinaj, tha po ashtu se në Kosovë janë krijuar parakushte për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, është aprovuar Ligji për Investime Strategjike, janë krijuar zona të lira ekonomike me infrastrukturë të gatshme si dhe janë krijuar lehtësira tatimore për bizneset. Në këtë drejtim, kryeministri Haradinaj inkurajoi investitorët e huaj të sjellin investimet e tyre në Kosovë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.