Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj i quan spekulime pretendimet e Janjiqit për skenarë për ndarjen e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka quajtur spekulime pretendimet e Sava Janjiqit se ka pasur skenarë për ndarjen e Kosovës.

Janjiqi ka thënë se kishte parë skenarë, sipas të cilëve do të krijoheshin trazira në veri, që t’i largonin serbët nga atje, raporton KTV.

Haradinaj ka thënë se nuk do të ketë ndarje dhe se territori i Kosovës është i pacenueshëm, sepse këtë e kanë dëshmuar me qëndrime edhe krerë të lartë të NATO-s.

Këto deklarime kryeministri i bëri gjatë vizitës në kampin Bondsteel, duke u bërë kështu kryeministri i parë që ka vizituar kampin e Ushtrisë amerikane në Kosovë.

Për kryeministrin, ky kamp është garanci e paqes dhe e sigurisë jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.

Por, nuk ka dashur të flasë për të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nëse ajo do të arrijë gjatë vitit 2018 të bëhet ushtri.

Në anën tjetër, komandanti i kampit Bondsteel, Nick Ducich, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos largohen nga FSK-ja dhe thotë se është kundër presioneve që Beogradi po bën mbi ta.

Edhe Haradinaj: Deklaratat për ndarje janë vetëm spekulime Video Haradinaj: Deklaratat për ndarje janë vetëm spekulime

Ai ka shtuar se ka takuar shumë serbë, të cilët janë të gatshëm të bëhen pjesë e FSK-së.

Komandanti Ducich nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e Janjiqit për ndarje të Kosovës, duke thënë se këto janë çështje politike.

Haradinaj ia ka dhuruar Ducichit, flamurin më të cilin është betuar si kryeministër i Kosovës.