Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u është përgjigjur kërkesave të opozitës për dorëheqje pas dështimit të liberalizimit të vizave më 2018.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj ka thënë se “është shpërputhje ideja që qeveria e Kosovës të dorëhiqet për shkak të vonesave nga Bashkimi Evropian”.
“Dështimi nuk është definicioni që e kualifikon gjendjen. Është e papërmbyllur. Pjesa e Kosovës është përmbushur, pra pjesa e një pale. Puna jonë është kryer. Ka mbetur edhe një pjesë e punës nga BE-ja. Nëse opozita mendon se qeveria duhet të shkojë për vonesë të BE-së, mund të shkojmë, por duket si shpërputhje”, ka thënë Haradinaj.
Duke folur për rezolutën e propozuar nga PSD-ja për t’u përfshirë në ekipin e dialogut me Serbinë, Haradinaj ka thënë se kjo nuk nënkupton marrëveshje për qeverisje.
Ka kritikuar opozitën për “mundimin që të mos i lënë vend vendimit për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe”.