Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj drekë pune me Hahn, digjitalizimi parakusht i integrimit në BE

Shkup, 18 prill - Në kuadër të Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Shkup, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një drekë pune me komisionerin e BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Në drekë ishin edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuliq, dhe komisionerja evropiane për Ekonominë Digjitale dhe Shoqëri, Mariya Ivanova Gabriel.

Forcimi i Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal dhe rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishin temat që u diskutuan në këtë drekë pune.

Në këtë takim u theksua që digjitalizimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është parakusht elementar për integrimin në Bashkimin Evropian.

Në mes tjerash, Kosova konfirmoi bashkërenditjen e saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor në heqjen e tarifave të roamingut brenda këtyre vendeve në fazën e parë dhe më pas me shtetet e BE–së, si dhe angazhimin konkret në digjitalizimin e administratës publike.

Samiti Digjital i vendeve të Ballkanit Perëndimor po mbahet në Shkup dhe Kosova po përfaqësohet nga vetë kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet e vendit.