Në mungesë të një marrëveshjeje ndërmjet Ujësjellësit Rajonal Prishtina dhe Ministrisë së Mjedisit, ka mbetur pa u realizuar parku te Fusha e Pajtimit në Prishtinë. Hapësira është rikthyer në deponi të egër, raporton KTV.
Kanë kaluar 3 vjet prej kur është prezantuar projekti i parkut në Fushën e Pajtimit.
Fotografitë ishin vendosur për të treguar rregullimin e infrastrukturës, pa u zgjidhur çështja e pronës.

Moszgjidhja e kontestit me Ujësjellësin Rajonal Prishtina, që është pronare e kësaj hapësire, ka bërë që Fusha e Pajtimit të vazhdojë të mbetet deponi e egër dhe ideja e parkut, sipas banorëve, ka qenë vetëm premtim i zyrtarëve institucionalë.
Banorët thonë se në këtë hapësirë qytetarët nga pjesë tjera të qytetit vijnë dhe hedhin mbeturina.
Edhe
Në Ditën e Tokës pastrohet deponia në “Fushën e Pajtimit”
Në kompaninë “Pastrimi” thonë se ata nuk mbajnë përgjegjësi për pastrim të deponive ilegale.
Në Ujësjellësin Rajonal Prishtina thonë se e kanë pranuar në muajin janar nga Ministria e Mjedisit kërkesën për park në këtë zonë. Megjithatë, sipas zëdhënëses, Arieta Mjeku, aksionari i ndërmarrjes, e që është Qeveria, duhet të marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të hapësirës apo ndërrim të pronarit.