Arbëri

Halit Sahitajt më 2016 i ishin bllokuar mbi 600 mijë euro të ardhura nga Rusia

Për herë të parë me Halit Sahitajn Prokuroria Speciale kishte pasur punë në vitin 2016. Mbi 600 mijë euro siç ka mësuar KOHA, i ishin bllokuar me kërkesë të kësaj prokurorie me arsyetimin se është transfer i dyshimtë për shkak se paratë vinin nga Rusia. Vetë Sahitaj sipas informatave që ka KOHA, asokohe pretendonte se në këtë prokurori i kishin kërkuar ryshfet që paratë të lirohen. Por pas denoncimit, ai ishte tërhequr nga këto pretendime

Halit Sahitaj është bërë i njohur javën e fundit për opinion në Kosovë, përmes audioincizimeve që e shpërfaqin fuqinë e tij për të ndikuar te krerët e institucioneve kryesore të drejtësisë.

Por, KOHA ka mësuar që Sahitaj ishte bërë i njohur për institucionet e drejtësisë rreth 5 vjet më herët. Hetuesia atëkohë e kishte lidhur për dyshime të tjera.

Për një tjetër histori penale, Prokuroria Speciale kishte dyshime në lidhje me Halit Sahitajn. Atij i ishin bllokuar mbi 600 mijë euro, me kërkesë të kësaj prokurorie të cilat kishin ardhur nga shteti i Rusisë. Por, Prokuroria Speciale dhe Prokuroria e Shtetit ka tri ditë që nuk janë përgjigjur se çfarë ka ndodhur me këtë hetim. A është proceduar apo është mbyllur?

Nga burime të saj, KOHA ka mësuar që këto para ishin bllokuar për faktin e vetëm se vinin nga Rusia, ndërsa Prokuroria Speciale nuk kishte ndonjë provë që e lidhte Sahitajn për ndonjë aktivitet kriminal në atë kohë.

Ndonëse kjo prokurori nuk e ka konfirmuar një hetim të tillë, ish-prokurori Faik Halilaj, i cili fillimisht ishte marrë me rastin ka pranuar se është një dijeni të këtij hetimi.

Por siç ka thënë, ai ishte larguar nga ky rast dhe nuk e di se kujt i ka kaluar.

“Unë kam hequr dorë më herët nga ky rast. Ia kam dhënë shefit tim. Shefi im ia ka dhënë një prokurori tjetër dhe çka ka ndodhë unë nuk e di. Unë kam dalë në pension në vitin 2018. Jo nuk e kemi përfunduar, as nuk e di rrjedhjen e atij rasti, fare nuk jam në rrjedha”, ka thënë Faik Halilaj, ish-prokuror special.

Por, edhe të tjera dyshime kishin lindur para katër vjetësh.

Burime brenda PSRK-së, i kanë thënë KOHËS se Sahitaj asokohe pretendonte që dikush nga ky institucion i kishte kërkuar ryshfet që paratë e bllokuara t’i liroheshin.

E një denoncim i tillë kishte shkuar deri në polici, por siç kanë thënë burimet, më pas Sahitaj ishte tërhequr nga këto pretendime.

Një rrjedhë të ngjashme e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një përgjigjeje me shkrim.

“Më datë 06.09.2016, nga prokurori i PRSK-së, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka pranuar kërkesë për intervistimin e palës ankuese H. S.(1966) rreth pretendimeve që disa persona i kishin kërkuar para për t’i ndihmuar në kryerjen e një lënde që e kishte në PSRK. Hetuesit kanë intervistuar palën ankuese më datë 07.09.2016, në prezencën e avokatit të tij dhe pala ka mohuar në tërësi që ndonjë person zyrtar i ka kërkuar favore apo mjete monetare për përfundimin e lëndës në PSRK-së. PSRK-ja është njoftuar me raport rreth intervistës më 14.09.2016. PSRK-ja ka njoftuar DHKEK-në më 20.10.2016 se është mbyllur hetimi për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

KOHA ka provuar të vendosë kontakt me Sahitajn, por ka qenë e pamundshme. Nuk ka qenë i qasshëm në numrin e telefonit që ka siguruar KOHA.

Javën e fundit në media janë publikuar disa audio-incizime të Sahitajt me zyrtarë të lartë e një gazetar, ku sipas këtyre bisedave, ata kishin pranuar t’i kryenin favore.