Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Halimi kritikon Gërvallën: E pafalshme që e para e diplomacisë sonë është kaq jodiplomatike

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, për reagimin e saj të martën mbrëma pasi Polonia u godit nga raketa ruse, ku vdiqën dy persona.

Gërvalla kishte thënë se bota duhet ta ndalë presidentin rus Vladimir Putin.

“Ne vajtojmë humbjen e jetëve të pafajshme polake që janë vrarë nga raketat ruse. Mendimet tona janë me familjet, Kosova qëndron me Poloninë kundër regjimit të Putinit”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Halimi ka thënë se derisa fuqitë e mëdha janë rezervuar nga deklarimet, për të mos e përshkallëzuar situatën, Gërvalla i ka “hedh zjarr benzinës”.

“Është e pafalshme që e para e diplomacisë sonë të jetë kaq jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj. Në një kohë kur të gjithë zyrtarët e ShBA-së, BE-së dhe të NATO-s rezervohen në deklarime - që të mos ketë përshkallëzime dhe pasaktësi - ministrja jonë e jashtme tregohet joserioze, madje me një dëshirë të papërmbajtshme për t’i hedhur benzinë zjarrit. Përpos lëshimeve teknike e ngatërrimit të flamujve të shteteve, angazhimit të vobektë të njohjes së Kosovës, gabimet përmbajtësore e deklarimet pa takt, sikur ky i fundit, janë bërë rëndomtësi. Kabineti i madh e me shumë këshilltarë, duhet të angazhohen dhe të konsultohen, para se të bëhen të tilla gabime të panevojshme. Politika, dhe sidomos diplomacia, bëhet me vetëpërmbajtje e maturi, jo me temperament e vrull për t'u deklaruar, duke e vënë kësisoj shtetin tonë në pozitë të pafavorshme në politikën ndërkombëtare”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Artikuj të ngjashëm