Avokati Mahmut Halimi ka deklaruar se që nga fundi i luftës, qeveritë e Kosovës janë përpjekur në dokumentimin dhe dënimin e krimeve të luftës, por që sipas tij, presion për të mos e kryer këtë punë kanë bërë UNMIK-u dhe EULEX-i.
Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se pasi autoritetet kosovare s’kanë pasur karaktere ekzekutive menjëherë pasluftës, ia ka pamundësuar dënimin e serbëve që kanë kryer krime.
“Qeveritë tona janë përpjekur nga fundi i luftës, por as në kohën e UNMIK-ut e as të EULEX-it, s’kanë mundur të bëjnë asgjë, pasi s’kanë pasur karakter ekzekutiv që ata t’i shtyjnë vendimet. Kanë bërë propozime e forma të ndryshme, por s’kanë arritur”, ka thënë Halimi.
Ai ka rrëfyer se rasti i parë i gjykimit të një serbi për krime në Kosovë, kishte nisur gjatë vitit 2000, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë.
“I kemi ndarë punët ashtu siç kemi mundur. Kemi arritur të hetojmë krime lufte që kanë ndodhur në territorin e Mitrovicës. Kemi dorëzuar një lëndë për gjykim, të quajtur rasti ‘Mosa’. Është marrë vendimi për atë çështje, 14 vjet është dënuar i pandehuri. Ky rast ka pasur të bëjë me vitin 2000. Që në fillim janë paraqitur probleme të presionit të UNMIK-ut lidhur me veprimet që ne i kemi kryer. Kur kam qenë gjyqtar, 11 të pandehur janë arrestuar për masakrën në Rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë”, ka deklaruar avokati Halimi.
Edhe
Serbia nuk po bashkëpunon për rastin e Ivanoviqit e për të tjera
Ai ka shtuar se OSBE-ja, UNMIK-u dhe EULEX-i kanë insistuar që rastet e krimeve të luftës të lihen “për më vonë”, derisa u shpreh se trupi gjykues ka qenë këmbëngulës.
“Procesi i votimit në këtë çështje ka zgjatur nga ora 10:00 deri në 23:30, kur ka përfunduar gjykimi. Është rasti i vetëm në karrierën time që një votim zgjat mbi 13 orë. Në orën 23 e kemi shpallur vendimin me reflektor, ku kemi qenë të rrethuar. Të gjitha strukturat e UNMIK-ut në ato ditë dhe të OSBE-së, kanë ngritur një alarm pa vend. Për arsye se nga përfaqësuesja e OSBE-së, kam marrë një mënyrë si akuzë se kinse unë si qytetar i Mitrovicës kam qenë viktimë e krimeve të z.Mosa”, ka thënë tutje ai.
Sipas avokatit, që nga paslufta, autoritetet ndërkombëtare kanë insistuar që më tepër të dënohen shqiptarët sesa serbët.
Ai ka thënë se dënimi i krimeve të luftës tash është më i vështirë pasi disa fakte janë zhdukur e një pjesë e dëshmitarëve kanë vdekur.
Në procesin e gjykimit të një serbi, Halimi ka thënë se një polic kanadez ishte detyruar të tërhiqej nga hetimet e rastit, pasi siç tha ai, kishte presione dhe anshmëri nga ndërkombëtarët.
Edhe
Palokaj: Kosova ka përvoja se edhe kur ka pasur të drejtë, është përballur me pasoja për veprimet e bëra
Halimi, përfaqësues ligjor në rastin e Oliver Ivanoviqit, u shpreh se kryeministri Albin Kurti e ka tepruar me elozhetë për personalitetin e Ivanoviqit.
“Unë nuk kam dëshirë t’i komentoj deklarimet e politikanëve. Si kryeministër, konsideroj se Kurti e ka tepruar me elozhenë që ia bëri Ivanoviqit. Duke filluar nga koha e luftës, pasluftës, kur mbahet mend se (Ivanoviqi v.j.) është udhëheqësi i ‘rojave të urës’. Ka me qindra filmime ku shihen se ai ishte udhëheqës. Mbahet mend edhe pse askush s’e ka parë, që ka qenë pjesë e strukturës së serbeve të veriut”, ka shtuar Halimi.