Arbëri

Hacker: Nuk e ndaj mendimin e BE-së se Vuçiqi është çelësi i zgjidhjes së problemit të Kosovës

Raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun e Gjermanisë, Thomas Hacker, në një intervistë për televizionin serb “N1”, tha se pret interesim më të madh nga Brukseli për ta sqaruar situatën rreth parregullsive të pretenduara në zgjedhjet në Serbi dhe po ashtu një deklaratë të qartë se duhet të hetojë ato parregullsi.

“Ose duhet të ketë pasoja, nëse vërtetohen ato parregullsi. Për mendimin tim, Brukseli, kur është fjala për këtë, është shumë i heshtur dhe i tërhequr. Kjo duhet të ndryshojë”, tha Hacker.

Ai tha se s’mund të tregojë arsyet pse Brukseli sillet në këtë mënyrë.

“Unë nuk ndaj mendimin e tyre se Vuçiqi paraqet çelësin e zgjidhjes së problemit të Kosovës. Në muajt e fundit kemi pasur tensione të vazhdueshme, bllokada në veri të Kosovës, pastaj bojkotim të zgjedhjeve komunale, marrëveshje të dakorduar, e që kurrë nuk është nënshkruar”, tha Hacker. “Pyetja e madhe për të ardhmen e Serbisë dhe rrugën drejt BE-së, do të jetë se në çfarë mënyre, në raport me Kosovën, të shkohet së bashku në rrugën evropiane. Kosova si pjesë e BE-së dhe Serbia si pjesë e BE-së, dhe për këtë është e nevojshme që edhe qeveria edhe opozita t’i shpjegojnë qëndrimet e tyre, pasi ne në Gjermani kemi pasur atë situatë, kemi pasur dy shtete që nuk kanë komunikuar. Nga ajo bashkëjetesë, nga ai bashkëpunim në fund erdhi te rënia e ‘Perdes së hekurt’. Komunikimi i ndërsjellë, dialogu, bashkëpunimi, ndonëse njohja është temë e vështirë për Serbinë, por bashkëjetesë dhe rrugë të përbashkët drejt BE-së, kjo është ajo që BE-ja pret edhe nga qeveria edhe nga opozita”.

Hacker ka thënë se nuk është reale të shihet Vuçiqi si “rojtar i stabilitetit të Serbisë”.

Ai ka thënë se disa “deklarata që vijnë nga Serbia, së fundi nga kryeministrja, ku thotë se është falënderuese dhe lavdëron bashkëpunimin me Rusinë, shkaktojnë neveri”.

“BE-ja tregon qartë se është në anën e Ukrainës, dhe presim nga partnerët tanë të veprojnë njëjtë, nga ata me të cilët synojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët të Evropës”, tha Hacker.

Hacker ka thënë se Vuçiqi me vite ka tentuar që të marrë sa më shumë nga të dyja palët.

“Para sulmit ndaj Ukrainës, ai merrte para nga BE-ja, energji të lirë nga Rusia, dhe për këtë tash është shumë e vështirë të merret vendimi se në anën e kujt është. Por, shteti duhet të ketë gjithmonë përparësi ndaj interesave partiake. Besoj se e ardhmja e Serbisë është në BE, në Serbi ka mjaft njerëz që mendojnë kështu, që duan të shkojnë në BE”, tha Hacker.

Hacker ka thënë se duhet siguruar që propozimi franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë të sjellë rezultat.

Hacker ka thënë se është shumë me rëndësi transparenca.

“Nëse bllokadat në veri të Kosovës organizohen nga Serbia dhe nëse vetëm me një fjalë largohen, nëse Dodik verën e kaluar ishte në demonstratë në Beograd, në miting dhe tha rroftë Srpska, rroftë Serbia, rroftë Rusia, dhe Vuçiqi qëndron përkrah, kjo tregon se qeveria aktuale ka tendenca nacionaliste edhe hapa prapa, nëse është situata e tillë që edhe të bëhen manipulime zgjedhore, atëherë jemi shumë kritikë ndaj kësaj dhe për këtë është shumë me rëndësi transparenca”, tha Hacker.