Arbëri

Gucati: Lajm i shumëpritur lirimi i Demakut, së shpejti edhe Selimi

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati ka uruar lirimin nga burgu të gjeneral Jahir Demakut, ndërsa ka dënuar veprimin e të gjithë atyre që ende e mbajnë padrejtësisht në burg ish-komandantin e UÇK-së, gjeneral Sylejman Selimi.

Ai ka shkruar se, “sot morëm lajmin e shumë pritur – lirimin e gjeneralit, Jahir Demaku, i cili ishte i privuar nga liria, ne nuk kemi dyshuar asnjëherë në pafajësinë e tij ashtu siç nuk dyshojmë në luftën e pastër të UÇK-së”.

“Ne nuk kërkuam asgjë më shumë se veç lirisë, pavarësisë së Kosovës, lufta jonë nuk meriton të njolloset. Gjeneralit Demaku i urojmë për lirimin e tij, ta gëzojë lirinë e Kosovës sepse meritat e tij nuk mund të njollosen”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai gjithashtu ka uruar që sa më shpejtë të lirohet edhe Sylejman Selimi.

“Duke shpresuar që institucionet përkatëse të vendosin drejtësi dhe të kuptojnë vlerat e vërteta të UÇK-së, presim sa më shpejtë vendimin për lirim të gjeneralit, Sylejman Selimi. Ne dënojmë ashpër veprimin e atyre që ju privuan nga liria pas asnjë bazë, por për interesat e tyre politike. Kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë në përkrahjen tuaj”, ka shkruar Gucati.