Arbëri

Grupi i qytetarëve “Kosova atdheu ynë” me parulla kundërshtojnë marrëveshjen Kosovë-Serbi

Grupi i qytetarëve “Kosova atdheu ynë” nga Lipjani, gjatë së premtes kanë mbuluar të gjitha ulëset në sheshin “Adem Jashari” me parulla të ndryshme për ta kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëpërmjet qindra parullave ky grup i qytetarëve ka kundërshtuar gjendja në të cilën ndodhet shteti i Kosovës. Qytetarët më së shumti i kanë lexuar mbishkrimet e vendosura si: “shtet i kapur”, “drejtësia e kapur”, “Kosova nuk ndahet”, “20 vjet mjerim”, “ekonomia e shkatërruar” etj.

Shaip Jashari, përfaqësues i grupit të qytetarëve “Kosova atdheu ynë” me këtë rast ka thënë se secili qytetar që e lexon një nga këto parulla sigurisht se do ta gjejë vetveten sepse këto janë bisedat e qytetarëve të cilat bëhen në shoqëri dhe në çdo ndejë. Sipas tij, nëpërmjet ekspozimit të parullave të shkruara po e shprehin kundërshtimin e qytetarëve për gjendjen e rëndë dhe të rrezikshme në të cilën ndodhet shteti i Kosovës, transmeton Koha Ditore.

“Shtetit po i kanoset zhbërja nëpërmjet marrëveshjeve që po tentohen të bëhen për ndarjen e Kosovës ndërmjet presidentit Thaçi, Vuçiqit dhe kryeministrit të Shqipërisë Rama. Parullat të cilat po i vendosim përmbajnë bisedat të cilat i bëjnë qytetarët në jetën e përditshme në shoqëri. Ne ato jemi munduar t’i përmbledhim nëpërmjet parullave të shkruara. Në pjesën e majtë të sheshit kemi vendosur parulla duke e shprehur historinë e popullit të Kosovës të cilëve i është kanosur zhdukja për 121 vjet në program dhe platformë të shtetit serb, e ndihmuar në heshtje prej bashkësisë ndërkombëtare. Po ashtu kemi shprehur edhe kundërshtimin dhe ngritjen e zërit kundër ndarjes së shtetit të Kosovës”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, në pjesën tjetër të sheshit “Adem Jashari” në Lipjan, nëpërmjet parollave e kanë quajtur shtetin e Kosovës “20 vjet mjerim” apo “tirani” prej vitit 1999.

“Prej 20 vjetësh çka po ndodh në Kosovë është “tirani” moderne e mbështjellur me petkun e hollë të demokracisë, ndërkaq përmbajtja brenda saj është komplet “tirani”. E kemi shprehur nëpërmjet parullave një gjendje në të cilën ndodhet vendi për 20 vjetët e fundit, andaj nëpërmjet këtyre parullave qytetarët po e ngrejë zërin që kjo gjendje duhet të ndryshoi. Sepse qytetarëve i është cenuar e drejta bazike e njeriut për të shprehur edhe zërin në mënyrë të lirë, andaj qëllimi ynë është që të vetëdijesohen edhe qytetarët tjerë dhe ta ngremë zërin të gjithë së bashku”, ka thënë më tej Jashari.

Ai ka shtuar se 90 për qind e qytetarëve janë kundër marrëveshjeve me Serbin dhe kundër ndarjes së Kosovës.

“Për këtë aktivitet në Lipjan nuk kemi kërkuar përkrahje nga institucionet lokale por as nga këshilltarët e KK-së të subjekteve politike sepse jemi një grup i qytetarëve pa ngjyrime politike dhe duam që nëpërmjet këtyre parullave ta ngremë zërin me qëllim që të ndryshohet gjendja e rëndë në Kosovës”, ka thënë në fund ai.

Nga ana tjetër këtë aktivitet e kanë përkrahur dhjetëra qytetar të cilët kanë thënë se gjithçka që po lexohet nëpër këto parulla i përket realitetit në Kosovë.

Jahir Jahiri, qytetar nga Lipjani, ka thënë se ky grup i të rinjve është dashur të organizojnë një protestë në lidhje me gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në Kosovë.

“Derisa ky grup i qytetarëve i ka vendosur këto parulla janë të vërteta dhe secili prej nesh e ndjenë në brendësi se këto tema debatohen vazhdimisht në shoqëri. Parulla “Ekonomia e shkatërruar” është shumë e vërtet dhe këtë e thonë edhe të gjithë ata qytetar me të cilët unë personalisht bisedoj shpeshherë. Vendi nuk është në gjendje të mirë, andaj në këtë aktivitet është dashur të dalin të gjithë qytetarët dhe t’i shprehin pakënaqësitë e tyre rreth kësaj çështje”, ka thënë Jahiri.

Sipas tij, Kosova është një shtet i vogël dhe shtet i ri, andaj ka mundur të jetë një vend i zhvilluar duke i ngjasuar ndonjë shteti evropian, mirëpo sipas tij, me këtë udhëheqje politike nuk mund të arrihet një gjë e tillë.

“Kjo vlen për të gjitha subjektet politike sepse korrupsioni është në shkallë të lartë, prandaj zëri i qytetarëve mund ta ndryshoi gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në vendin ku jetojmë dhe për të cilën kemi kontribuar të gjithë qytetarët”, ka thënë Jahiri.

{gallery}