Ani pse lista e pritjes për shërbime në Kardiologjinë Invazive është 1 vit e gjatë, të mërkurën stafi mjekësor i kësaj njësie mbajti një orë grevë.
Me kërkesë të mjekëve, gjatë kësaj kohe, rojat nuk ua lejuan hyrjen personave që kishin ardhur të kërkonin shërbime.
Me grevë, 16 profesionistët shëndetësorë të Kardiologjisë Invazive kundërshtuan plotësim-ndryshimin e Statutit të QKUK-së.
Nëpërmjet këtij ndryshimi të nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, parashihet që shërbimi i Kardiologjisë Invazive të rikthehet nga Klinika e Kardiokirurgjisë në atë të Kardiologjisë.
Bashkë me Statutin do të ndryshojnë edhe kontratat e personelit shëndetësor, gjë që për këta kardiologë, pos e papranueshme, është edhe joligjore.
“Pikërisht kontrata është një prej arsyeve fundamentale, ku preket dhe cenohet statusi juridik i secilit mjek të profilizuar”, ka thënë Fisnik Veliu, kardiolog invaziv.
Për këtë çështje, nëpërmjet një letre, kardiologët invazivë i janë drejtuar edhe kryeministrit Kurti, por deri të mërkurën ata thanë se nuk kanë marrë kurrfarë përgjigjeje prej tij dhe se janë në pritje.
Nëse ndryshimi nuk kthehet prapa, ata paralajmëruan masa shumë të ashpra.
“Nuk do të kemi rrugë tjetër, përveçse të marrim ndonjë vendim tjetër i cili do të jetë pa dëshirën tonë. Por ndoshta edhe QKUK, edhe SHSKUK, por edhe Ministria ta dinë që do të jetë vendim shumë i rëndë, i cili nuk ka ndodhur më herët në shëndetësinë kosovare”, shtoi Veliu.
Grevën e ka përkrahur edhe Shoqata Sindikale e SHSKUK-së, duke thënë se MSH-ja po prish diçka që ka funksionuar mirë.