Mbajtja e fëmijëve larg institucioneve arsimore është vlerësuar si cenim i të drejtave, të cilat atyre ua garanton Kushtetuta e Kosovës. Fajtore për këtë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit e ka mbajtur të enjten Qeverinë shkaku i mungesës së dialogut. Edhe BSPK-ja e ka akuzuar Qeverinë se është duke u munduar që të gjejë rrugë jo të mira, “kryesisht të presionit joparimor për t’i bindur grevistët që ta ndalin grevën”
Janë bërë një javë qëkur nxënësve është duke iu mohuar e drejta kushtetuese për arsimim, si pasojë e grevës në të cilën kanë hyrë mësimdhënësit për t’i realizuar kërkesat që përfshijnë shtesat prej 100 eurosh për pagat mujore, deri në miratimin e Ligjit për Paga.
Fajtore për këtë gjendje, kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, e ka mbajtur të enjten vetëm Qeverinë, teksa ka thënë se me grevën po mbrohen të drejtat sindikale.
“Me Kushtetutë e ligje lejohet organizimi sindikal dhe greva është diçka legjitime. Ne nuk po e shkelim të drejtën e fëmijëve, por po e mbrojmë të drejtën tonë. Të drejtën e fëmijëve po e shkel Qeveria, e cila nuk po ulet që të bisedojë me ne”, ka thënë Jasharaj të enjten, gjatë një konference për media.
Porse qëndrim ndryshe prej Jasharajt ka shprehur Mazllum Baraliu, njohës i Kushtetutës. Ai ka thënë se veprimet e SBASHK-ut përbëjnë cenim të së drejtës së fëmijëve për arsimim, e cila garantohet me Kushtetutën e Kosovës.
“Neni 22 i Kushtetutës së Republikë së Kosovës i parasheh të drejtat. Është një kapitull i tërë, krahas këtij neni, që i rregullon të drejtat e qytetarit, e brenda këtyre, edhe të fëmijëve”, ka thënë Baraliu.
Veprimet sindikale në sektorin e arsimit, Baraliu ka vlerësuar se përbëjnë shkelje edhe të konventave ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, të cilat Kosova i ka nënshkruar dhe është zotuar që t’i respektojë.
“Të drejtat e tilla, të garantuara edhe me konventën, edhe me instrumentet e tjera ndërkombëtare që parashihen në kapitullin e Kosovës, në këtë rast e drejta e shkollimit si një e drejtë themelore për arsimim, cenohen me një grevë, e cila nuk është që po ndodh për herë të parë”, ka thënë ai.
Baraliu ka theksuar se mënyra e zgjedhur për organizimin e grevës mund madje edhe t’i penalizojë juridikisht mësimdhënësit.
“Problemi është që greva është totale, gjithëpërfshirëse. Nuk mbahet mësimi fare. Ka mundur të ketë grevë, për shembull, 1-orëshe para fillimit të orarit të punës, ose pas mbarimit të orarit të punës. Edhe ajo është grevë, por nuk e dëmton procesin mësimor dhe nuk i dëmton të drejtat e fëmijëve”, ka thënë ai.
Drejtues të institucioneve janë shprehur të vetëdijshëm për cenimin e të drejtave kushtetuese të nxënësve, porse nuk kanë ndërmarrë veprime. Presidentja Vjosa Osmani, gjatë një vizite të mbajtur të martën në Komunën e Mamushës, ka bërë thirrje që shkollat të hapen, duke specifikuar se “nxënësve nuk duhet t’u mohohet e drejta kushtetuese në arsim”.
Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se ekonomia e një vendi nuk mund të zhvillohet pa arsimim, teksa ka vendosur të enjten, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, gurthemelin e shkollës së re “Ilir Kunushevci” në Llug të Podujevës.
“Nga kjo situatë duhet të dilet, duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit nëpër shkolla dhe po ashtu edhe nxënësit. Meqenëse nuk zhvillohet vendi pa arsimim, nuk zhvillohet ekonomia pa mësim dhe edukim”, ka theksuar ai. E ministrja Nagavci e ka vlerësuar të parikuperueshëm dëmin që është duke u shkaktuar nga greva.
“Bëj thirrje për të gjithë mësimdhënësit që të jenë pranë nxënësve të tyre e bashkë me nxënësit e tyre, ashtu që të mos humbet më asnjë orë e mësimit, sepse dëmet e shkaktuara janë shumë të mëdha për nxënësit”, ka thënë Nagavci.
Nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Qeveria është akuzuar për zgjedhjen e rrugës “të presionit joparimor për t’i bindur grevistët që ta ndalin grevën”.
Nëpërmjet një komunikatë për media, nga BSPK-ja i është bërë thirrje Qeverisë se “ndalja e grevës së përgjithshme pa dialog social është dhunim i demokracisë”.
Nga ministria e Arsimit, të enjten, është njoftuar se në disa shkolla të komunave të ndryshme është duke u zhvilluar procesi mësimor, ndërkaq në SBASHK-u kanë thënë se kjo e dhënë nuk e zbeh efektin e grevës.
“Mësimi po mbahet në disa klasa e shkolla të ndryshme, si në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri, Pejë, Deçan, Gjilan, Kamenicë, Gjakovë, Ferizaj, Shtime, etj.”, është bërë e ditur në njoftimin e Ministrisë.
Punonjës të sektorit publik, të cilëve u janë bashkuar edhe mësimdhënësit, që nga 25 gushti kanë hyrë në grevë të përgjithshme shkaku i mospërmbushjes së kërkesës kryesore për ndarjen nga 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga. Qeveria ka shpalosur të shtunën planin për ndarjen nga 50 eurove në muaj për punëtorët e sektorit publik. Mirëpo kjo masë e paraparë në pakon e re ekonomike është vlerësuar si e pamjaftueshme nga sindikalistët.
Krahas kërkesës për 100 euro shtesë, grevistët kërkojnë gjithashtu që të formohen grupet e përbashkëta Qeveri-Sindikatë për të punuar në Projektligjin e Pagave, i cili është në konsultim publik që nga mesi i muajit gushtit.
Bazuar në këtë Projektligj, mësimdhënësve në shkollat fillore, të cilët paguhen nga 470 euro në muaj - me vlerë monetare të koeficientit 120 – pagat do t’u rriten në 672 euro, ndërsa atyre të shkollave të mesme e të larta, paga do të arrijë në 696 euro.