Arbëri

Greva në administratë ua pamundëson prindërve regjistrimin e foshnjave të porsalindura

Të gjitha foshnjat e lindura që nga data 25 gusht kanë mbetur të paregjistruara dhe zyrtarisht ende pa emër.

Kjo, si pasojë që administrata në Komunën e Prishtinës, e cila ndodhet në Klinikën e Gjinekologjisë, është në grevë.

Festim Memishi edhe këtë të martë ka bërë përpjekje për ta regjistruar fëmijën e tij, porse pa sukses.

“Ka lind qe një javë gati e nuk po mundemi me e regjistru. Na vina prej Gllaboqice. Qe e treta herë që po vimë se nuk po mundemi me regjistru. Po thonë kena grevë”, tha Memishi.

Shqetësime të ngjashme kanë shprehur të gjithë prindërit e tjerë që të martë janë detyruar të ktheheshin në shtëpi pa kryer punë.

“Me datën nëntë kam lindur, sot erdha për kontroll beben edhe me e regjistru. Ishim aty, më tha jo, grevë. E kishin vendosur letrën, më thanë jo jena në grevë. Nuk e di çka mendojnë këta”, tha prindja Lavdije Maqani.

Radhë të gjata qytetarësh që prisnin për shërbime nëpërmjet e-kioskave ka edhe para objektit të Komunës së Prishtinës. Përfundimin e grevës dhe të pritjeve e ka kërkuar qytetari Naim Krasniqi, të cilit i nevojitej pajisja me një certifikatë vendbanimi.

“Kjo grevë duhet të përfundojë sa më parë. Qeveria duhet të reflektojë në mënyrë që të zgjidhet ky problem i këtyre punonjësve, si atyre arsimorë ashtu edhe të administratës”, tha qytetari Naim Krasniqi.

Bersant Beka, drejtor i administratës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se ka pasur shumë kërkesa për shërbime të ndryshme dhe ka shtuar se greva ua ka vështirësuar punën.

“Presim reflektim direkt edhe nga kryeministri që të bëjë zgjidhjen dhe ne të vazhdojmë punën dhe t’i kryejmë të gjitha shërbimet që ne i ofrojmë, si rasti te spitali i Gjinekologjisë, ku bëhet regjistrimi i foshnjave dhe ne çdoherë kemi problem por në konsultim edhe me Sindikatën e Prishtinës po mundohemi të gjejmë zgjidhje ose një mirëkuptim që të paktën foshnjat e porsalindura të regjistrohen. Jemi çdo ditë në komunikim me ta, mbajmë takime, si për rastet e certifikatave që nuk lëshohen në e-kioska kemi gjetur mirëkuptim në qoftë se personave që ju nevojitet janë urgjente”, tha Beka.

Edhe pas takimit të së martës mes Qeverisë dhe sindikatave ka dështuar që të gjendet një zgjidhje që do t’i jepte fund grevës së nisur që nga 25 gushti në sektorin publik.