Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Grenell: Rusët tani duhet të jenë shumë të kënaqur me Albin Kurtin

Ish-emisari për dialogun i SHBA-së, Richard Grenell dhe kryeministri Albin Kurti

Ish i dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka thënë se rusët tani duhet të jenë të kënaqur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit të modifikuar për çështjen e targave.

Në Twitter, Grenelli ka shkruar se “rusët duhet të jenë shumë të kënaqur me Albin Kurtin tani”.

Qeveria e Kosovës modifikoi vendimin për çështjen e targave, ku sipas tij, për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit për serbët që nuk konvertojnë targat në RKS, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes prej 150 eurosh, dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për tre muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill, nuk do të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës.

Por me këtë nuk janë pajtuar ndërkombëtarët. Departamenti amerikan i Shtetit u shpreh i zhgënjyer me Qeverinë për mosshtyrjen e afatit për targat.

Kritika për qasjen që Qeveria ka me aleatët ndërkombëtarë pati edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili e sheh tejet të rrezikshëm veprimin e ekzekutivit për targat pa u pajtuar me SHBA-në e BE-në.