Arbëri

Greiçevci: Asnjë kosovar i lënduar në Manchester

Ambasadori i Kosovës në Britani, Lirim Greiçevci ka njoftuar se nga sulmi në Manchester nuk ka asnjë kosovar të vdekur e asnjë të lënduar.

Ai ka thënë se Ambasada e Kosovës ka kontaktuar vazhdimisht me autoritetet britanike, përfaqësues shoqatash, aktivistë e familjarë për të konfirmuar një gjë të tillë.

Shkrimi i plotë i Lirim Greiçevcit:

Ju njoftojmë që pas sulmit të mbrëmshëm terrorist në Mançester, Ambasada e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet britanike për të kuptuar nëse ndonjë shtetas i Kosovës është prekur në këtë sulm. Ambasada gjithashtu ka kontaktuar me komunitetin tonë në Mançester, me përfaqësues shoqatash, aktivistë dhe familje kosovare. Fatmirësisht, deri më tani nuk ka asnjë informacion për ndonjë të lënduar ose të vdekur në këtë sulm terrorist.

Për të qenë në kontakt të vazhdueshëm në terren me autoritetet lokale në Mançester si dhe me komunitetin tonë atje, Ambasada ka dislokuar diplomatin Imer Berisha, i cili do të qëndrojë atje në terren deri të kemi konfirmimet përfundimtare lidhur me viktimat dhe të lënduarit. Imeri mund të kontaktohet në këtë numër telefoni: +447375725450. Ndërsa numri emergjent 24 orësh mbetet ai i njëjti i shpallur mbrëmë: +447961064763. Ju faleminderit për vëmendjen dhe bashkëpunimin.