Një grup i grave në Komunën e Ferizajt e kanë nisur një fushatë sensibilizuese kundër kancerit të gjirit, me moton “Zërat e Shpresës”.
Nëpërmjet kësaj fushate, ato u kanë bërë thirrje të gjitha grave dhe vajzave që t’i realizojnë kontrollet e tyre të rregullta, pasi që diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundjeje shërben si parandalim.
Nazim Dauti, radiolog në Spitalin Rajonal të Ferizajt, ka thënë se kjo sëmundje prek të dy gjinitë dhe të gjitha moshat, duke u bërë thirrje për kontrolle mjekësore të gjithëve që dyshojnë dhe kanë telashe me shëndetin.
“Çdo grua mbi moshën 30-vjeçare duhet t’i nënshtrohet ekzaminimit radiologjik dhe ultrazërit një herë brenda gjashtë muajve. Dhe një herë brenda vitit, ato gra mbi moshën 40 vjeç duhet ta bëjnë mamografinë”, ka thënë Dauti.
Sipas tij, te gjinia femërore kjo sëmundje është më e përhapura si sëmundje kanceroze.
“Përhapja rritet me moshën. Mosha më e atakuar është mbi 50 vjeçe dhe nuk dallon nga raca. Ekzaminimet radiologjike që bëhen nëpër institucionet tona duhet të bëhen në mënyrë sistematike, duke filluar nga ultrazëri, mamografia dhe ekzaminime të tjera më specifike, sipas nevojës”, ka thënë ai.
Ndërkaq Hyrmete Krasniqi, e mbijetuar nga kjo sëmundje, ka treguar se sëmundjen e kishte zbuluar në kohë, gjë që bëri që ajo ta fitonte betejën.
“Unë jam ndër ato gratë që e fitova betejën, andaj mos hezitoni, ju kisha lutur të gjitha grave dhe motrave: mos nguroni, lajmërohuni te mjeku dhe bëni kontrolle nëse e shihni ndonjë ndryshim, sepse ajo është sëmundje tinëzare që nuk ka dhimbje, mirëpo duhet të lajmërohuni te mjeku”, ka thënë Krasniqi.
Bahrije Hyseni, kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së, parti kjo që e ka përkrahur fushatën, ka thënë se Ferizaj është ndër komunat me më së shumti raste të diagnostikuara me kancer të gjirit.
“Takimi me moton ‘Zërat e Shpresës’ është një kontribut i yni i përbashkët për sensibilizimin e opinionit për sëmundjen e kancerit të gjirit, i cili në vendin tonë ende po vazhdon të marrë jetë njerëzish. Në jetën e përditshme shumica nga ne takohemi me gra heroina, prezente në familje e në shoqëri, që betejën e tyre nuk e bëjnë vetëm me veten, por kjo betejë tejkalon familjen dhe prek shoqërinë në mënyra direkte”, ka thënë, midis të tjerash, Hyseni.
Në këtë fushatë u tha se diagnostikimi i vonshëm i kësaj sëmundjeje ka kosto të lartë financiare për trajtim, andaj gratë duhet t’i kryejnë me rregull kontrollet mjekësore.