Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gola: Përpjekjet serbe për destabilizim nuk do të ndalen

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, deklaroi se Serbia nuk do t’i ndalojë përpjekjet për destabilizim të rajonit, e kjo sipas tij, vjen pas pretendimeve ruse për pushtimin e Ukrainës.

Ai tha në Interaktiv të KTV-së të mërkurën, se tentimi i Rusisë për të ridefinuar rendin botëror, është rrjedhë logjike që e përcjell edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Nga ne pritet që në aspektin institucional të jemi në gjendje gatishmërie për çfarëdo rrethane të re. Ne konsiderojmë se prania e NATO-s këtu është në funksion të ruajtjes së stabilitetit. Përpjekjet për destabilitet nuk do të jenë të suksesshme. Me figura dhe taktizime të tilla (serbe), kjo vetëm na jep të kuptojmë se Serbia përpiqet të bëjë lojën e vjetër, si reflektim e një nevoje për hegjemoni ekonomike, politike e fatkeqësisht edhe ushtarake”, tha Gola.

I pyetur për moslejimin e votimit të serbëve në Kosovë në zgjedhjet e Serbisë, deputeti i partisë në pushtet, tha se ishte opsion i mirë i menduar nga kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, ky vendim i Kurtit është insistim në kushtetutshmëri.

“Kemi të bëjmë me një konsolidim edhe pse goxha të vështirë të subjektivitetit në Kosovë. Kemi të bëjmë me insistim të Kosovës që të ruhet kushtetutshmëria e vendit dhe e rendit institucional. Kërkesa e Kurtit ka qenë jo vetëm legjitime por edhe e dinjitetshme”, tha ai.

Gola deklaroi se dokumentacioni zgjedhor ka pasur referenca serbe, që do duhej të ishin referenca të Republikës së Kosovës.

Artikuj të ngjashëm