Dhjetëra banorë të fshatit Godanc të Komunës së Shtimes nëpërmjet një proteste, të hënën, kanë kërkuar nga Komuna zgjidhjen e një kontesti pronësor me sipërfaqe prej një hektar e 85 arësh, e cila si pronë publike deri tashti është shfrytëzuar nga banorët e fshatit për nevojat e tyre sportive dhe bujqësore.
Sipas banorëve, dokumentet për këtë pronë komunale janë keqpërdorur nga biznesmeni Sali Beqaj, i cili sipas banorëve është i afërt me disa zyrtarë në Drejtorinë për Planifikim Urban, Kadastër e Gjeodezi në Komunën e Shtimes, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nga ana tjetër, menjëherë ka reaguar Komuna e Shtimes, pikërisht Drejtoria për Planifikim Urban, Kadastër e Gjeodezi, duke sqaruar se kjo lëndë tashmë ka kaluar në Gjykatën Themelore në Ferizaj për zgjidhjen e kontesteve pronësore, ndërkohë pas një vendimi të gjykatës do të merren hapat ligjorë.
Liman Muhadini, banor i fshatit Godanc të Komunës së Shtimes, ka thënë se parcela prej një hektar e 85 arësh është pronë komunale e ish-kooperativës bujqësore, andaj pikat kadastrale nuk përputhen me gjendjen faktike siç pretendon blerësi i saj, biznesmeni Sali Beqaj.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)