Para gjysmë shekulli, si sot, në Kosovë do të ndodhte historia. Një grup studentësh kosovarë, që ishin kthyer nga Universiteti i Lubjanës për të vazhduar studimet në Fakultetin Teknik të sapohapur në Prishtinë, ishin ata që bënë hapin historik që më 27 nëntor të vitit 1968 të organizonin demonstrata në gjithë Kosovën, ndërsa ajo e Prishtinës do të ishte më e madhja, që pati jehonë në përmasa botërore. Ato do të zhvilloheshin edhe jashtë Kosovës në Jugosllavinë e atëhershme ku ka shqiptarë, kurse në Tetovë do të ishte më e madhja.
Këto zhvillime vinin pas rënies nga pushteti absolut, që kishte Aleksandar Rankviqi, i cili komandonte jo vetëm masat represive policore (atëherë milicia) dhe të shërbimeve sekrete, por edhe politikat zhvillimore e nacionale. Ishte personaliteti i dytë pas Titos.
Kosova e shqiptarët sa kishin nisur një frymëmarrje më të lirshme. Kishin nisur procese që do të sillnin barazi më shumë, zhvillim ekonomik, arsimor e kulturor, por gjithsesi me doza më të kufizuara në krahasim me të tjerët në atë Jugosllavi, madje që ishin edhe shumëfish më pak se shqiptarët. Ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese, përmes amendamentimit të Kushtetutës që rregullonte pozitën e republikave e të krahinave në Federatë, shihej qartë se nuk do ta përmirësonin shumë situatën. Studentë e intelektualë që kishin shijuar jashtë Kosovës më shumë liri e demokraci, këtë e donin edhe për popullin e vet dhe prandaj ata edhe i nxitën, i organizuan ato demonstrata. Ndonëse fillimisht ato u dukën se do të kenë pasoja për çlirimin e synuar të rrathëve shtrëngues nga politikat nacionaliste e hegjemoniste serbe, qenë të efektshme. Mbi të gjitha sikur u vra frika që ishte mbjellë në dekada ndër shqiptarë përmes fushatave represive, herë për të mbledhur “tepricat”, herë armët pa leje, herë për të detyruar që të ndërronin komb e fe, herë për t’i shpërngulur për në Turqi.
Flamuri kombëtar, deri atëherë i ndaluar dhe që po t’i zihej kujt mjaftonte për dënime me burgim shumëvjeçar, sapo ishte legalizuar. Ai do të valojë në ballë të turmave të të rinjve, në Prishtinë, Prizren, Podujevë, Ferizaj, Tetovë, Gostivar... Kërkesat ishin mirë të artikuluara për liri, barazi, universitet, kushtetutë.
Milicia, që ose ishte e zënë e befasuar, me gjasë më shumë pse tashmë me shumicë ishin shqiptarë dhe nuk dominohej nga serbë e malazezë, siç ishte deri në Plenumin e njohur të Katërt të Komitetit Qendror të LKJ, u tregua ca më e matur. Megjithatë u përdor forca dhe pati dhunë. Përveç të plagosurve, një i ri u vra në Prishtinë. Ky ishte Murat Mehmeti.
Organizatorët e demonstratës në Prishtinë – Osman Dumoshi, Sabri e Selatin Novosella, Skender Kastrati, Skender Muçolli, Adil Pireva, Afrim Loxha, Hasan Dermaku, Ilaz Pireva, Xheladin Rekaliu... pas pak ditësh do të arrestohen dhe dënohen me burgime shumëvjeçare. Pati edhe shumë të arrestuar të tjerë nëpër qytete të tjera të Kosovës, por edhe në Tetovë, Strugë, Gostivar e Dibër.
Megjithatë kërkesat e tyre nuk shkuan huq. Ndonjë vit më vonë do të hapet Universiteti i Prishtinës. Do të ndryshojë edhe kushtetuta dhe Kosova do të fitojë kompetenca më të mëdha, duke u shndërruar në subjekt federal. Megjithatë më pak se republikat e tjera. Klasa politike shqiptare, me përjashtime, i përdori ato me shkathtësi për të avancuar pozitën kushtetuese të Kosovës dhe të vetë shqiptarëve.
Por, pas demonstratave të vitit 1968, të njohura si Demonstratat Studentore, në Kosovë nuk do të ketë më qetësi. Pati edhe shumë viktima, arrestime e represion. Ato do të përsëriten me intensitet e kërkesa më të vendosura që më 1981, për të vazhduar me protesta gjithpopullore në vitet në vijim, deri në luftën e UÇK-së dhe çlirimin në qershor të vitit 1999, , rikujton koha.net.
Prandaj ato janë historike.
{gallery}