Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjyqtarë të Supremes e të Kushtetueses nga Kosova pjesë të punëtorisë në Selanik

Selanik, 4 tetor – Nën organizimin e organizatës German Foundation for International Legal Cooperation (IRZ), kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama – Hajrizi, të shoqëruar nga gjyqtarët e të dyja gjykatave dhe nga bashkëpunëtorët profesional, po marrin pjesë në punëtorinë me temën “Ankesa kushtetuese dhe zhvillimet e fundit në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së”.

Përmes një komunikate për media nga Gjykata Supreme e Kosovës, bëhet e ditur se të dy kryetarët nga Kosova, në fjalët e tyre, kanë vlerësuar lart organizimin e kësaj punëtorie, në dobi për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për zgjerimin e njohurive rreth praktikës së fundit gjyqësore të GJEDNJ-së.

Kryetari Peci foli për rëndësinë e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, të cilat, sipas tij, po kanë ndikim pozitiv në vendimet e gjykatave vendore. Bashkëpunimin mes këtyre dy gjykatave e ka cilësuar të veçantë edhe eksperti nga Gjermania, prof..dr. Jan Bergmann, kryetar i trupit gjykues në Gjykatën e Lartë Administrative të Baden – Wurttemberg, profesor i të Drejtës Publike, Kushtetuese dhe Evropiane në Universitetin e Shtutgardit.

Temat kryesore të diskutimit në këtë punëtori dyditore janë: Dogmatika evropiane për të Drejta të Njeriut; Burimet e të drejtave të njeriut në Evropë; Karta Evropiane për të drejta themelore; Skema e vlerësimit që zbatohet për liritë dhe të drejtat gjyqësore; Skema e vlerësimit që zbatohet për të drejtat e barazisë, kërkesat për pranueshmërinë e një ankese kushtetuese; Rastet e fundit të Gjykatës Evropiane për të drejta të njeriut përfshirë të drejtën për jetën; Ndalimi i torturës, e drejta për liri dhe siguri, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, liria e mendimit, ndërgjegjes dhe e fesë, liria e shprehjes, ndalimi i diskriminimit etj..​