Arbëri

Gjykata urdhëron bllokimin e Hidrocentralit mbi Vjosë

Gjykata Administrative vendosi sot ndalimin e punimeve për hidrocentralin e Poçemit mbi Lumin Vjosë pas kërkesës së një komuniteti banorësh të zonës së Mallakastrës, në Jug të Shqipërisë dhe aktivizimit të disa organizatave mjedisore vendase dhe të huaja.

Sipas gjykatës ndërtimi i Hidrocentralit të Poçemit ndikon negativisht në mjedisin dhe jetën e banorëve të fshatit Kutë dhe zonës përreth dhe zbatimi i projektit nuk duhet të bëhet.

Hidrocentrali i Poçemit është pjesë e një programi teknik që synonte të shfrytëzonte kaskadën e lumit Vjosa për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Kaskada e Vjosës sipas projektit të hartuar para viteve nëntëdhjetë lejonte ndërtimin e nëntë hidrocentraleve nga kufiri 350 metra mbi nivelin e detit ku Vjosa hyn në territorin e Shqipërisë deri në kuotën 9 metra mbi det pranë Selenicës në rajonin e Vlorës, njofton zia.

Projekti fillestar i Hidrocentralit të Poçem parashikonte fuqi të instaluar prej 50 MW dhe prodhim vjetor prej 200 milionë kWh. Një tjetër Hidrocentral mbi Lumin Vjosë, ai i Kalivacit në rrethin e Tepelenës është braktisur nga punimet ndërtuese pas problemeve të Kompanisë që kishte fituar koncesionin.