Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjykata e Prizrenit mohon të jetë “e korruptuar dhe efikase” njëkohësisht

Kolegjiumi i gjyqtarëve të Gjykatës Themelore të Prizrenit i ka vlerësuar si joreale gjetjet e raportit të “Demokraci Plus” rreth vlerësimit të cilësisë së shërbimeve në Gjykatat Themelore të Kosovës.

Një hulumtim i OJQ Demokraci Plus, e nxjerr Gjykatën e Prizrenit si “të korruptuar dhe efikase” njëkohësisht, shkruan sot Koha Ditore.

Roberta Osmani, hulumtuese e lartë në “Demokraci Plus” ka pohuar se kjo organizatë ka realizuar një studim për cilësinë e shërbimeve të gjykatave themelore të Kosovës, ashtu siç vlerësohen nga qytetarët dhe avokatët apo përfaqësuesit e autorizuar si përdorues të këtyre shërbimeve, të bazuar në metodologji të saktë statistikore.

Në të njëjtën kohë ajo ka përkujtuar se Gjykata Themelore në Prizren në hulumtim rangohet e katërta sa i përket efikasitetit, pas Ferizajt, Pejës dhe Gjilanit.

Tutje Osmani ka nënvizuar se Gjykata në Prizren krahasuar me gjykatat e tjera, gjithmonë sipas respodentëve të anketës, ka dalë të jetë “Gjykata me praninë më të lartë të përdorimit të mitos/ryshfetit”.

“Konkretisht, 35% e respodentëve në Prizren kanë thënë se u është kërkuar mito nga ndonjë punëtor i gjykatës, përfshirë gjyqtarët, ndërsa 23% të tyre kanë thënë se u kanë dhënë ryshfet të njëjtëve. Këto shifra janë shumë më të larta sesa te gjetjet për gjykatat e tjera”, është shprehur ajo. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)