13:05 - Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se pas arrestimit është rrahur nga policët kosovarë.
Sipas tij, gjatë rrugës nga veriu për Prishtinë, policët vazhdimisht kanë kënduar dhe e kanë provokuar.
“Mua personalisht më kanë vënë në njërën prej veturave dhe aty kalova disa kohë duke më rrahur. Tash jam mirë dhe dua të dini se jam mirë, dhe tentuan të më poshtërojnë dhe vazhdimisht më godisnin, bënin shaka dhe tentonin me këtë të më frikësonin duke më mbajtur një kallashnikov në bark. Njëri madje më kërcënoi me thikë, por ajo çfarë dua t’u them se gjatë asaj kohe deri në Prishtinë këndonin. Më nxorën më pas nga vetura më lanë në një bodrum dhe dua t’u them se nuk kishte asnjë thirrje nga Beogradi dhe kjo mbaroi. Jam krenar me serbët që nuk u dorëzuan dhe nuk do të dorëzohen. Serbët nga Kosova dhe Serbia do të luftojnë për atë që është e drejta e tyre”, është shprehur Gjuriq.
Gjuriq: Separatistët shqiptarë dje sulmuan popullin serb në Kosovë
Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur për herë të parë publikisht pas arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të hënën.
Gjuriq ishte arrestuar në veri të vendit pasi kishte hyrë pa leje, ndërsa ishte dëbuar më pas nga Kosova.
“Dje separatistët shqiptarë në Prishtinë në përkrahje të hapur nga disa vende të perëndimit, me dhunë sulmuan popullin tonë në Kosovë e Metohi me qëllim të qartë që me terror e dhunë, me policë të armatosur deri në dhëmbë të marrin veriun e Kosovës. Duhet të them se mburrem me qytetarët e Mitrovicës të cilët duarthatë dhe në mënyrë paqësore iu kundërvunë kësaj dhune dhe nuk hoqën dorë nga lufta për mbrojtjen e pragut të vet. Është gënjeshtër se nuk i kemi njoftuar me kohë për takime. I kemi lutur disa herë për leje”, ka thënë Gjuriq pas takimit që pati Lista Serbe me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Edhe
Policët që e arrestuan, Gjuriq i quan “bandë terroriste”
Gjuriq ka thënë se shqiptarët ishin të papërgjegjshëm edhe në Bruksel gjatë bisedimeve Kosovë – Serbi. Sipas tij, po të mos kishte thirrje nga Beogradi, dhuna dhe terrori mbi serbët në Mitrovicë “s’di ku do të përfundonin”.
Në anën tjetër, Dalibor Jevtiq, ministër në qeverinë Haradinaj ka thënë se nëse ka pasur urdhër për arrestimin e Gjuriqit një gjë e tillë është dashur të bëhej në mënyrë më të dinjitetshme.
“... Jo duke na poshtëruar. Ata poshtëruan veten sepse treguan fytyrën e tyre. Dhamë gjithçka që serbët të kthehen në Kosovë, por nuk morëm asgjë pos premtimeve. Tani është e qartë se ata që duan të kthehen duhet të mendojnë mirë sepse arrestime kishte edhe në të shkuarën”, ka thënë ai.