Arbëri

Gjuriq e informoi për masat ndaj Kosovës, ministri estonez ia kujton afërsinë me Putinin

Marko Gjuriq

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, ia ka kujtuar ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, afërsinë e shtetit të tij me Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin, duke theksuar se është i papranueshëm shtrëngimi i duarve me kriminelë lufte. Ky mesazh iu dha Gjuriqit në vizitën të cilën ai e shfrytëzoi edhe për ta informuar Estoninë “për situatën e rëndë të serbëve në Kosovë”.

Në një njoftim për pritjen që i bëri Gjuriqit, Tsahkna ka thënë se ia ka shprehur edhe përkrahjen për dialogun Kosovë-Serbi drejt paqes.

“E kam pritur Marko Gjuriqin dhe kam theksuar se: është e papranueshme të shtrëngosh duart me një kriminel lufte që po përpiqet të minojë sigurinë e Evropës dhe sovranitetin e Ukrainës; Serbia si kandidate për BE pritet të përshtatë politikat me BE-në; Unë e përkrah dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës drejt paqes”, ka shkruar në Twitter Tsahkna.

 

Ndërkaq, në njoftimin e Gjuriqit bëhet e ditur se e ka informuar ministrin estonez edhe për “situatën në Kosovë, dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit të Kurtit”. Ditë më parë Serbia paraqiti shtatë kërkesa dhe masa ndaj Kosovës për “kthim në gjendjen paraprake” në dialog. Për këto, Serbia ka njoftuar se ka nisur një fushatë globale.

“... Duke theksuar se integriteti territorial dhe sovraniteti i Serbisë janë po aq të vlefshme sa të çdo shteti tjetër”, ka shkruar Gjuriqi ndër të tjera në njoftimin në rrjete sociale. 

Ai aty nuk ka përmendur qëndrimin e Estonisë kundër afërsisë së Serbisë me Rusinë. Një gjë të tillë nuk e ka përmendur as Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë në njoftimin për takimet e Gjuriqit në Tallin.