Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, do të mbërrijë të mërkurën për vizitë zyrtare në Kosovë.
Siç ka bërë të ditur Presidenca në një komunikatë për media, Gjukanoviq do ta vizitojë Kosovën me ftesë të presidentes Vjosa Osmani.
Presidenca ka bërë të ditur se Gjukanoviqi do të pritet me nderimet më të larta shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Pas ceremonisë së pritjes, Osmani do të zhvillojë takim me Gjukanoviqin si dhe në fund të takimit do të mbajnë konferencë për media.
Policia bllokon përkohësisht disa rrugë për shkak të vizitës së presidentit malazias
Ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut do të ketë në disa segmente rrugore me rast të vizitës së Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq të mërkurën në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Në njoftimin e PK-së nuk është bërë e ditur se cilat rrugë do të bllokohen përkohësisht për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim të presidentit malazias.
“Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare”, thuhet në njoftim.