Arbëri

Gjoba – e vetmja mundësi për ndëshkim të mihësve të kriptovalutave

Kodi Penal i Republikës së Kosovës nuk ka dispozitë nëpërmjet së cilës ndiqet penalisht moszbatimi i vendimeve të Qeverisë. Kësisoj, Policia e Kosovës gjatë tërë javës ka pasur shumë aktivitete për konfiskim të aparaturave për mihjen e kriptovalutave. Ato janë konfiskuar nga Dogana, për shkak që janë futur në Kosovë në mënyrë të parregullt.

Sekuestrim të pajisjeve, por jo edhe hetime penale, janë rezultatet e bastisjes së Policisë se Kosovës për aparaturat që përdoren për mihjen e kriptovalutave.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e mihjes së kriptovalutave, Policia e Kosovës ka nisur bastisje anembanë Kosovës për sekuestrim të këtyre pajisjeve.

Në Leposaviq mëngjesin e së shtunës, në një stallë, nga Policia e Dogana janë gjetur 272 pajisje “Antminer” që shërbejnë për prodhimin e Bitcoinit.

Megjithëse Policia e Kosovës përmes komunikatës ka thënë se një person është shoqëruar në stacionin policor pas aksionit, kanë treguar po ashtu që ata nuk ishin institucioni kryesor në realizimin e aksionit, por ishin në asistencë të Doganës.

“Në kuadër të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka asistuar dhe mbështetur Doganën e Kosovës në realizimin e kontrollit në rajonin e Mitrovicës Veriore, i cili ka rezultuar me shoqërimin e një personi dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të pajisjeve ANTMINER që shërbejnë për prodhimin e BITCOINIT”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Aksione të tilla pati edhe ditëve të kaluara.

Në Mitrovicën e Jugut, në një shtëpi private, Policia e Kosovës ka sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet, që dyshohen se përdoreshin për mihje kriptovalutash.

Një aksion i ngjashëm ka ndodhur edhe në Podujevë.

Në të dyja rastet, Policia e Kosovës nuk ka njoftuar për pasoja penale, por ka thënë që aksionin e ka asistuar edhe Dogana e Kosovës.

Kodi Penal nuk parasheh vepër penale për moszbatim të vendimeve të Qeverisë. Por, siç kanë interpretuar burimet në këtë institucion, në këto raste Policia e Kosovës shqipton gjoba, dhe rastet iniciohen si kundërvajtje. Megjithatë edhe në këto raste mund të ketë ndjekje penale, atëherë kur vlera e pajisjeve që janë futur duke iu shmangur Doganës kanë vlerë mbi 5 mijë euro, por kjo ndjekje penale nuk ka të bëjë me zbatim ose jo të vendimit të Qeverisë.

Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës ka thënë që aksionet e tilla nga ana e tyre janë më shumë për të konfirmuar nëse ato janë futur në mënyrë të rregullt.

“Dogana verifikon secilin import në rast kur produktet janë futur pa asnjë procedurë doganore, atëherë i nënshtrohen konfiskimit, pasi konsiderohen të kontrabanduara”, ka thënë ai.

Ai ka sqaruar se në çfarë rasti konfiskohen.

“Në rastet kur policia has produktet të cilat janë kapur në aktivitete ilegale, ne bëjmë verifikimin e tyre dhe nëse janë pa dokumentacion importi, i konfiskojmë”, ka sqaruar Stavileci.

Procesi i mihjes së monedhës virtuale Bitcoin kërkon një konsum të lartë të energjisë elektrike.

Që nga fillimi më 2009, Bitcoini është përcjellë me polemika në të gjithë botën. Në shumë vende investimi në kriptovaluta është konsideruar i rrezikshëm. Ato kanë ndërmarrë masa të caktuara, e ka vende që tashmë e kanë shpallur të paligjshëm. Megjithatë, listës së këtyre shteteve ku kriptovalutat kanë barriera nga shteti i është shtuar Kosova, por vetëm në mihje. Kjo me qëllim për të ruajtur energjinë elektrike.