Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka thënë se qasja e gazetarëve në dokumente publike është tejet e vështirë për shkak se institucionet janë të mbyllura. Sipas saj, janë politikanët ata që i mbajnë informacionet e fshehta, pavarësisht se shërbyes civilë mundohen të japin qasje.
Në Raport të KTV-së, Kusari ka thënë se në të kaluarën shërbyesit civilë ishin shprehur shpesh të nervozuar kur u ishte kërkuar qasja në dokumente zyrtare. Sipas saj, ka pasur raste kur institucionet as s’i kuptojnë kërkesat për qasje në dokumente publike e shpesh herë ka përgjigje refuzuese “banale”.
“Një rast ka të bëjë me AKI-në. Bashkë me YIHR-në kemi kërkuar qasjen në numrin e personave të përgjuar gjatë një viti. S’kemi kërkuar emra, as metodën as mbiemrin. Jemi inspiruar prej një rasti në Serbi, ku gjykata ka urdhëruar Serbinë të bëjë këtë informacion publik. AKI-ja ka refuzuar me arsye shumë banale. Diku thuhet se jo se nëse japim numrin e rasteve të përgjuara, merret vesh metodologjia e përgjimit”, ka deklaruar ajo.
Për një rast tjetër, Kusari ka thënë se ka një vit që ka bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për fondin për personat e hetuar apo akuzuar nga Gjykata Speciale. Ajo ka thënë se qasja s’i është lejuar nga ish-ministrat Abelard Tahiri e Albulena Haxhiu.
“Ka raste kur informacioni është tejet sensitiv, në interes të publikut e institucionet janë të mbyllura. Përvoja që unë kam është se për gjatë dhjetë vjetëve i kam bë rreth 1000 kërkesa për qasje në dokumente publike e tash janë mësuar me kërkesa. Shërbyesit civilë shpesh mundohen të japin qasje, por politikanët janë ata që i mbajnë informacionet e fshehta”, ka thënë tutje ajo.