Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjini refuzon takimin me Haxhiun: Nuk ju japim alibi për zvarritjen e bllokadës

gjini

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën për takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk po kërkojnë zgjidhje për krizën institucionale.

Në një përgjigje drejtuar Haxhiut, Gjini ka thënë se ajo nuk është presidente e zgjedhur e Kosovës dhe, sipas tij, nuk ka mandat për të luajtur rolin e unifikueses së spektrit politik.

“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, ka shkruar Gjini.

Ai ka akuzuar Haxhiun dhe Kurtin se takimin po e kërkojnë për të gjetur fajtorë për vendimin që, sipas tij, tashmë e kanë marrë për ta çuar vendin në zgjedhje.

“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka deklaruar ai.

Gjini ka pretenduar gjithashtu se qëllimi i Vetëvendosjes është zvarritja e bllokadës institucionale deri në një datë që, sipas tij, i konvenon kësaj partie për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet”, ka shkruar Gjini.

Ai ka thënë se AAK-ja e ka kuptuar këtë qasje dhe nuk dëshiron t’i japë Vetëvendosjes “alibi”.

“Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, ka përfunduar Gjini.

Gjatë ditës së djeshme, Haxhiu ftoi liderët e partive për një takim të martën “që synon të kontribuojë në dialogun politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve”.

Thirrja e Haxhiut ndodh një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës hoqi dorë nga partneriteti potencial për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen dhe bëri thirrje për kandidatura konsensuale për president. Këtë thirrje të LDK-së e ka mirëpritur të premten kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Edhe ai ka bërë thirrje që në tryezë për të diskutuar për figurë unifikuese të ulen edhe dy partitë tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.

Të premten e shkuar ka qenë afati i fundit i definuar nga Gjykata Kushtetuese, brenda të cilit duhej të konstituohej legjislatura e njëmbëdhjetë. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.

Edhe PDK-ja e refuzon takimin me Haxhiun

1 muaj më parë / 15 gus 2026 14:27
PDK

Ashtu si Aleanca, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka refuzuar takimin e së martës të thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me liderë të partive. Takimi, sipas thirrjes së Haxhiu, synon të kontribuojë në dialogun politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, të shtunën konfirmoi se nuk do të jenë pjesëmarrës, ndërkohë që ftesën e Haxhiut e quajti "manipulim". Ismaili ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstitutive të dielën, 16 gusht. 

"Kjo është edhe një tentativë e manipulimit të Kurtit me shtyrjen e afateve, kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese.Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgoj Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend", deklaroi ai. 

Ismaili ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti, për kriza në  vend dhe shpërfillje të rregullores së Kuvendit e Kushtetutës. 

“Albin Kurti përmes Avni Deharit po e mban të suspenduar Kuvendin, moskonstituimi nuk d.m.th. vetëm mohim i ushtrimit të rolit të deputetit por edhe zërit dhe kërkesave të qytetarëve. Ndërkohë që Kurti po merret me kalkulimet e tij, qytetarët po vuajnë. Kjo tani është Kosova e krizave shumëvjeçare të Albin Kurtit... Kosova nuk mund të mbetet peng i Kurtit pafundësisht”, ka thënë në konferencën për media.