Këshilltarët komunalë të pavarur dhe të opozitës kanë kërkuar nga Komuna që të sigurojë një strehimore ku do të vendosen qentë endacakë.
Në Komunë kanë bërë të ditur se po e shohin mundësinë për një strehimore të përbashkët me Kamenicën e Vitinë, shkruan sot Koha Ditore.
Një strehimore e tillë me afro 100 qen ka ekzistuar në fshatin Zhegovc, mirëpo për shkak të mosfinancimit strehimorja është mbyllur. Këshilltarët komunalë në seancën e Kuvendit Komunal, që është mbajtur të premten, kanë paraqitur për diskutim këtë çështje, mirëpo nuk është dhënë një përgjigje e qartë nga Komuna se si do ta adresojnë këtë për zgjidhje.
Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka vlerësuar se qentë endacakë, të cilët bredhin në rrugët e qytetit nuk paraqesin rrezik, ngase janë trajtuar me projektin e sterilizimit dhe kastrimit të tyre. Ai ka thënë se rrezik paraqesin qentë të cilët nuk janë trajtuar, dhe se presin që Qeveria e Kosovës të kontraktojë një kompani e cila do të merret me këtë projekt.
Mirëpo këshilltari komunal nga radhët e opozitës (Partia Demokratike e Kosovës), Shefik Surdulli, ka vlerësuar se drejtori i Bujqësisë ka qasje të gabuar që qentë endacakë paraqesin rrezik për qytetarët. Ai kërkon që Komuna të sigurojë një strehimore, ku edhe do të vendoseshin ata qen.
Kurse këshilltarja komunale e pavarur, Anila Tusha-Kastrati ka deklaruar se qentë po shqetësojnë qytetarët të cilët bredhin në rrugët e qytetit. Ajo ka deklaruar se qytetarët në vazhdimësi po ankohen për moszgjidhjen e problemit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)