Arbëri

Gjilani shpërndan 4 mijë metra katrorë serra për bujqit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, kanë inaugurar projektin e shpërndarjes së 20 serrave me nga 200 metra katror në fshatra të Gjilanit, njofotn kumtesa, transmeton Koha.net.

Në vizitën që e bënë në fshatin Lladovë, kryetari Haziri, ka garantuar që fusha e bujqësisë nga mjetet vetanake të Komunës, do të ketë gjithmonë rritje të mbështetjes, në funksion të zhvillimit të kulturës bujqësore dhe rritjen e punësimit të pavarur e të qëndrueshëm të familjeve gjilanase.

“Uroj të gjitha familjet përfituese të këtij granti në serra familjare dhe komerciale. Bujqësia mbetet baza kryesore e zhvillimit lokal ekonomik në Komunën tonë. Deri tani kemi arritur që 1200 familje t’i mbështesim dhe trajtojmë me projektet aktuale, duke përfshirë Komunën, Ministrinë, Komisionin Evropian, USAID-in dhe shumë donatorë të tjerë, të cilët janë partnerë të realizimit të programeve në fushën e bujqësisë”.

Drejtori I Bujqësisë, Ramiz Ramadani, në këtë promovim të projektit, ka falënderuar kryetarin Haziri, për mbështetjen e fuqishme në sektorin e bujqësisë në të gjitha projektet që kjo drejtori ka paraqitur deri më tani.

Ai shtoi se gjatë gjithë vitit, në tregun gjilanas do të ketë kultura bujqësore të freskëta dhe me kualitet të lartë.

Kurse disa nga përfituesit e serrave, janë shprehur falënderues për përcaktimin e Komunës për t’i mbështetur bujqit në krijimin e kushteve sa më të mira.