Arbëri

Gjilani mbështet 800 fermerë brenda 3 muajve

Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, ka arritur që në periudhën e parë të vitit t’i mbështesë në forma të ndryshme 800 fermerë me bimë të ndryshme bujqësore”, ka thënë të martën, në një konferencë shtypi, drejtori i kësaj drejtorie, Ramiz Ramadani.

Ai ka theksuar se politika qeverisëse me mbështetje të fuqishme të kryetarit Lutfi Haziri, ka bërë që bujqësia e Gjilanit të ndryshojë, duke pretenduar që gjatë këtij viti të shënojnë një rritje në krahasim me vitin e kaluar, sa u përket investimeve në sektorin e bujqësisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Me mbështetjen e fuqishme nga kryetari Haziri, por edhe me subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë, kemi një interesim jashtëzakonisht të bujqve që asnjëherë më parë nuk ka qenë në këtë nivel. Këtë vit kanë aplikuar 979 fermerë për subvencione të ministrisë përkatëse. Stafi i drejtorisë, me të gjitha kapacitetet që ka, është duke punuar në mbështetjen e fermerëve, informimin, trajnimin dhe përgatitjen e tyre që kultura bujqësore me të cilën ata merren të jetë e bereqetshme”, ka thënë ai mes tjerash.

Ramadani ka falënderuar edhe donatorët e shumtë të cilët me praninë e tyre në të gjitha mënyrat, e posaçërisht në aspektin financiar, kanë ndihmuar ndryshimet pozitive në bujqësinë e Gjilanit. Ndërkaq Ramadani ka njoftuar se, sivjet janë mbjellë 50 hektarë me vishnje në bashkëpunim me USAID-in përmes programit “Agro” e në bashkëpunim me ndërmarrjen “Calabria”.