Gjilan, 10 maj – Komuna e Gjilanit vendos themelet e bashkëpunimit me qytetin Iowa të SHBA. Pas takimit me delegacionin e qytetit Sioux City të Iowas (SHBA), në krye me dr. Juline Albert, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se Gjilani po vendos themelet e bashkëpunimit me këtë qytet amerikan.
“Ushtarë dhe pjesëtarë të gardës nacionale të Iowas kanë shërbyer pas luftës për sigurinë e Gjilanit dhe të familjeve tona. Mbi të gjitha, populli i Iowas ka ndihmuar shkollat, fëmijët, kopshtet. Ky është momenti i kthesës ku ne shënojmë edhe binjakëzimin me këtë qytet, për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin në shumë fusha”, është shprehur kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Nga ana e saj, dr. Juline Albert, zëvëndës president e Western Iowa College dhe e deleguar e kryetarit të Sioux City, u shpreh e emocionuar me vizitën dhe fillimin e bashkëpunimit me Gjilanin.
“Jam e ngazëllyer që po e vizojmë Gjilanin, këtë qytet të mrekullueshëm me njerëz, po ashtu, të mrekullueshëm dhe miqësor. Jam e ngazëllyer që po e bëjmë partneritetin mes Iowas dhe Komunës së Gjilanit”, tha Juline Albert.
Delegacioni i Sioux City e ka vizituar edhe shkollën e agrobiznesit “Arbëria”, Universitetin Publik “Kadri Zeka” dhe kompaninë e prodhimeve “Ask Food”.