Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjermania do të bashkëpunojë ngushtë me Lajçakun rreth dialogut Kosovë-Serbi

Foto: Miroslav Lajçak / mzv.sk

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e ka përkrahur emërimin e Miroslav Lajçakut si i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Ai e ka quajtur Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë si njeri të respektuar, duke shtuar se mezi e pret vazhdimin e bashkëpunimit me të.

“Faleminderit Miroslav Lajçak, ishe Ministër i Jashtëm tejeT i respektuar për Sllovakinë! Mezi e pres vazhdimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë dhe të afërt rreth një çështjeje aq të rëndësishme, si dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës. Do ta kesh mbështetjen e plotë të Gjermanisë”, shkruan ai në “Twitter”.

Ndërkohë, pro emërimit të tij është shprehur edhe Carl Bildti, ish-kryeministri suedez dhe ish-ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian. Ai e ka quajtur emërimin e tij “zgjedhje të shkëlqyer”.

"Zgjedhje e shkëlqyer nga Bashkimi Evropian”, shkruan, po ashtu përmes “Tëitter”-it, përcjell KOHA.

Në status, Bildti shkruan edhe se “disa politikanë të Kosovës janë bërë tërësisht bashkë me administratën Trump” dhe ata, sipas tij, do të mundohen t’i cënojnë përpjekjet e BE-së.

“Kjo padyshim se do ta dëmtojë Kosovën në aspektin afatgjatë”, shkruan ai.

Edhe Lajçak: Krenar për bashkëpunimin BE-SHBA gjatë mandatit tim Arbëri Lajçak: Krenar për bashkëpunimin BE-SHBA gjatë mandatit tim

Bildti ia ka bashkëngjitur statusit të tij postimin e Joseph Borellit, kryediplomatit evropian. Ai të shtunën kishte shkruar se Lajçaku është diplomati i duhur për të udhëhequr dialogun Kosovë – Serbi.

“Miroslav Lajçak është një politikan shumë i respektuar dhe një diplomat me eksperiencë që gëzon besim të plotë nga BE-ja”, ka shkruar ai.