Dom Lush Gjergji i konsideron heronj të gjallë të gjithë ata që në emër të popullit falën gjakun e më të dashurve të tyre në fillim të viteve nëntëdhjetë.
Shpreh keqardhje se ata njerëz janë lënë anash, megjithëse falja e rreth 1200 gjaqeve ndali vëllavrasjen në kohën kur regjimi brutal i Slobodan Milosheviqit nisi zbatimin e masave represive pas suprimimit të autonomisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjergji, pjesë e Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, të prirë prej Anton Çettës, thotë se pa ndaljen e vëllavrasjes nuk do të kishin sukses as lëvizjet për liri.
“Anton Çetta mbetet një figurë në mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi ditur ta shprehim një nderim dhe falënderim jo ndaj tij, por ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve. Fatkeqësia është që nuk gjendet kurrkund e shënuar as në libra shkollorë. Fatkeqësia është se ne e kemi kujtesën shumë të shkurtër, dhe të mirën po e zhvlerësojmë dhe po e harrojmë”, thekson Gjergji, vikar i përgjithshëm i Kishës Katolike të Kosovës, në një intervistë rreth Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve dhe refuzimin e Institutit Albanologjik të Kosovës që shtatorja e Çettës të vendoset para institucionit ku i kishte prirë seksionit të folklorit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)