“Nëse nuk të gjen as Google, atëherë nuk je kurrkund”, është shprehja që dëgjohet shpesh korridoreve të Departamentit të Kompjuterikës. Shumëkush e thotë me humor, por në të vërtetë manifeston lidhjen e studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së.
Këtë shprehje e përdor në zyrën e tij edhe profesori Blerim Rexha pas ligjëratës “Siguria në internet” me studentët e vitit të tretë. “Interneti e ka globalizuar botën. E ka shndërruar në një vend të vogël”, thekson Rexha, shkruan sot “Koha Ditore”.
Megjithatë, në hyrje të ligjëratës ua përsërit studentëve dy-tri-herë shprehjen “interneti është i pabesueshëm”, me qëllim që t’u tregojë gjatë ligjëratës dhe ushtrimeve për rëndësinë që kanë masat e sigurisë që duhet të merren nga inxhinierët e teknologjisë.
Në hap me botën
Në praktikë punën e tyre e demonstrojnë tre studentët që kanë krijuar një lojë letrash. Studentët Lumi Bytyçi, Valon Prenaj dhe Durim Gashi ua shpjegojnë kolegëve dhe profesorit kodet dhe gjuhën programuese me të cilën kanë krijuar lojën kompjuterike.
Profesori i sfidon me pyetje shtesë. Përgjigjet ngërthejnë edhe fjalë të gjuhës angleze, që përdoren botërisht nga njohësit e fushës së teknologjisë./Rexhep Maloku
(Artikullin e plotë lexoni sot në “E diela me Koha Ditore”)