Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim ka njoftuar se është gjetur shëndosh e mirë gruaja që ishte raportuar e zhdukur në Runjevë të Kaçanikut.
Gruaja ishte raportuar e zhdukur më 27 prill, ndërsa kishte nisur një operacion kërkimi.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njofton se gruaja e raportuar si e zhdukur në komunën e Kaçanikut është gjetur shëndoshë e mirë. Operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është realizuar me sukses në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Falënderojmë të gjitha institucionet dhe qytetarët që kontribuuan në këtë proces përmes bashkëpunimit, informimit dhe përkrahjes së vazhdueshme”, ka njoftuar Shoqata e Kërkim-Shpëtimit në Facebook.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se 54-vjeçarja H.J. u gjet në mëngjesin e të enjtes.
“Pas disa ditë kërkimesh intensive, sot më 01.05.2025, rreth orës 09:55, është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore personi i raportuar i zhdukur, H.J., 54 vjeçe, nga fshati Runjevë i Kaçanikut. Operacioni i kërkimit, i cili nisi menjëherë pas raportimit më 27.04.2025, është realizuar në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet njësive policore, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe qytetarëve vullnetarë. Në terren janë përdorur dronë me kamera termike dhe pajisje të posaçme për terrene të vështira. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj shpreh falënderim të thellë për të gjitha ekipet e përfshira dhe për qytetarët që kontribuuan me përkushtim në gjetjen e personit të zhdukur”, tha Policia e Kosovës.