Ministria e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se janë gjetur dokumente që dëshmojnë pjesëmarrjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, në sulmet e së dielës në veri, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sveçla ka thënë para mediave se brenda objektit të Manastirit të Banjskës janë gjetur edhe harta e plane që shfaqin planin për sulm.
“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Milan Radoiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, ka shtuar ai.
Sipas ministrit, plani ishte i mirëmenduar, derisa ka theksuar se autoritetet e Kosovës s’do të ndalen së mbrojturi sovranitetin e shtetit.