Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjatë pandemisë grave iu dyfishuan punët e shtëpisë

Gratë përballen me papunësi, varfëri ekonomike, humbje të të ardhurave, më shumë biznese në pronësi të grave krahasuar me bizneset në pronësi të burrave e kanë të vështirë të përballojnë pandeminë dhe ndikimet e tjera ekonomike, duke rrezikuar përfitimet e brishta të bëra për fuqizimin ekonomik të grave.

Kështu është thënë në vlerësimin e ndikimit Socio-Ekonomik të publikuar nga UNDP së bashku me UN Women dhe UNFPA

Humbjet e vendeve të punës janë akoma në të njëjtin nivel me nëntorin e vitit 2020, ku 11% e të anketuarve raportuan se kishin humbur vendet e tyre të punës, krahasuar me 8% në maj të vitit 2020. Shumica e atyre që kishin humbur punën ende nuk morën mbështetje financiare ose përfitime të papunësisë nga institucionet ose komunat tregon ky raport.

Edhe pse puna e papaguar e kujdesit shtëpiak ishte bërë kryesisht nga gratë para fillimit të COVID-19, sipas këtij raporti pandemia ka ngarkuar në mënyrë disproporcionale gratë me punë, duke theksuar urgjencën për të adresuar ekonominë e kujdesit në të gjitha përpjekjet e rimëkëmbjes ekonomike.

“Dy herë më shumë gra kanë raportuar rritje të orëve të shpenzuara për punët e shtëpisë (16%) krahasuar me burrat (8%), gratë gjithashtu i kanë kushtuar më shumë orë lojës ose mësimit me fëmijë (9%) krahasuar me burrat (6%), ndërsa 51 % e burrave gjithashtu kanë deklaruar se zakonisht nuk merren me gatim”.

Në mars 2021, 23% deklaruan se shëndeti i tyre psikologjik ose mendor ishte prekur, krahasuar me 36% në nëntor 2020 dhe 28% në maj 2020.

Lidhja e ngushtë midis pandemisë COVID-19 dhe dhunës në familje është akoma e dukshme siç shihet edhe në dy vlerësimet e mëparshme thotë ky raport.

“Mbi gjysma e të anketuarve në vlerësimin e fundit perceptuan se dhuna në familje është rritur që nga përhapja e pandemisë, 52% krahasuar me 59% në nëntor 2020 dhe 56% në maj 2020. 27% nuk dinin ku të kërkonin ndihmë dhe mbështetje nëse përjetonin dhunë në familje” .

Bizneset e Kosovës janë prekur negativisht nga pandemia me ndikim të rëndësishëm në punën e tyre të përditshme. Pas masave kufizuese, 56% e bizneseve kishin ndaluar aktivitetet e tyre plotësisht në maj 2020 përderisa në mars 2021, vetëm 13% e bizneseve raportuan se kishin ndaluar plotësisht aktivitetet e tyre. 41% e bizneseve deklaruan që ndikimi financiar i pandemisë ishte shumë negativ.

Kur të krahasohen të dhënat mbi tre raundet e vlerësimit, duket se bizneset në Kosovë janë më të sigurta në aftësitë e tyre përballuese në mars 2021 krahasuar me nëntorin dhe majin e vitit 2020.

Sidoqoftë, sipas këtij raporti shumë më pak biznese në pronësi të grave kanë deklaruar se biznesi i tyre mund të përballojë situatën aktuale të pandemisë për më shumë se gjashtë muaj (21%) krahasuar me bizneset në pronësi të burrave (32%).

Artikuj të ngjashëm