Arbëri

Gjakova shënon Ditën e Europës

Me rastin e shënimit të 9 Majit, Ditës së Evropës, në Komunën e Gjakovës janë organizuar një sërë aktivitetesh, të cilat kanë spikatur vlerat evropiane të vendit tonë, por edhe domosdoshmërinë e​ integrimeve, zhvillimit dhe proceseve avancuese drejt Bashkimit Evropian.

Pjesë e këtyre aktiviteteve ishte edhe tryeza e organizuar nga Agon Batusha, në kuadër të projektit “European Dream”, me pjesëmarrje të kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, znj. Besa Luzha nga shoqëria civile dhe Lirim Zorra profesor në kolegjin ISPE.

Kryetarja Mimoza Kusari-Lila është shprehur se sot në ditën e Evropës duhet të kuptojmë se sa arsye kemi për të numëruar punët që duhet bërë, në mënyrë që t’ju japim arsyen të rinjve që të rrinë në Kosovë dhe Evropën ta kemi në Kosovë.

Për këndvështrimin e shoqërisë civile ka folur Besa Luzha, e cila ka veçuar sfidat dhe kërkesën e qytetarëve për lëvizje të lirë, kurse nga profesori i Kolegjit ISPE, Lirim Zorra u paraqit mendimi shkencor rreth historikut dhe të ardhmes së BE-së.

Aktivitetet për Ditën e Evropës në Gjakovë, kanë vazhduar edhe me shpalosjen e instalacionit “Kosova: Shoqëri e izoluar” dhe me një panair të organizatave të shoqërisë civile.