Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërxhaliu flet për sfidat e identifikimit të të pagjeturve

Kjo javë shënon javën përkujtimore për të pagjeturit në Kosovë, dhe Komisioni parlamentar ka kërkuar që sa më parë të procedohet plotësim-ndryshimi i ligjit për të pagjeturit, ku sot në Kuvend edhe po diskutohet për ta por nuk janë të pranishëm kryeministri e disa deputetë.

Në Express Intervistën e ditës në KTV, ishte i ftuar Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore me të cilin u diskutua për sfidat e identifikimit të trupave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Gërxhaliu tha për gjatë këtyre viteve, çështja e të zhdukurve mbeti sfidë për Kosovën dhe ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të pagjetur. Ai tha se mbetjet mortore kur të identifikohen, ato të cilat lidhen me luftën e fundit do të mbahen dhe ruhen në Kosovë, por megjithatë ende nuk janë identifikuar një numër i madh.

“Mbi 2 mijë e 900 familjarë i kanë dhënë mostrat e gjakut, por nuk janë përputhur ende me mbetjet mortore”, tha ai.

“I lusim familjarët që të japin gjak, sepse na duhen mostrat e tyre që të identifikohen. Janë raste të ndryshme, ka familje që është vështirë t’ua mbash shpresën gjallë, disa nuk duan të japin gjak, i kanë arsyet e tyre personale”, tha tutje ai.

Ai tha se janë 260 pjesë kockore në trupin e njeriut, por të pagjeturit dihet se janë varrosur e zhvarrosur disa herë, dhe kjo e bënë edhe më të vështirë identifikimin. “Duhet ta dimë se kur i kemi vendosur mbetjet mortore, ka pasur shumë. Kërkesë e familjarëve të ndryshëm ka qenë që fillimit të bëhen analizat e tyre, pra pjesëve kockore”, tha ai.

Gërxhaliu tutje tha se duhen procedura që të bëhet kontrollimi i lokacioneve të ndryshme.

Për sa i përket mbetjeve mortore të cilat u gjetën në Gjakovë, dhe dyshohet se janë të serbëve, Gërxhaliu tha se ende nuk janë identifikuar.

“Nuk japim mendime të tilla. Krejt kjo merr përgjigje kur ata persona identifikohen”, tha ai, e shtoi se janë gjetur mbetje mortore që besohet se mund të jenë më shumë se të 3 personave.

Gërxhaliu gjithashtu tha se analizat e ADN-së që bëhen në mbetjet mortore, dërgohen jashtë Kosovës, dhe këto mostra kur dërgohen në laborator, merren të dhënat që janë kryer prej autopsisë, dhe më pas kontaktohet familja.

Gërxhaliu tha se Kosova s’mund të bëjë vetë analiza të tilla të ADN-së sepse nuk kanë mundësi.

“Megjithatë, besoj se në një të ardhme jemi në një fazë që të kryhen edhe në Kosovë. Është punë e komplikuar sepse kërkohet edhe shumë investime”, tha ai.

Ai tha se Kosova nuk ka laborator për studim të ADN-së megjithëse kërkesat janë të mëdha.

Deri tani, analizat e ADN-së në rastin e personave të pagjetur janë kryer jashtë Kosovës, kryesisht në Bosnjë e Hercegovinë, për shkak të mungesës së një laboratori të tillë në Kosovë.

Ka thënë se edhe kërkesa e Misionit të EULEX-it që çështja e të pagjeturve të jetë primare, është e mirë dhe e duhur. EULEX-i përmes një komunikate në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur ka shprehur brengën për fatin e tyre dhe u ka sugjeruar autoriteteve të Kosovës që këtë çështje ta radhisin si prioritet.

Gërxhaliu gjithashtu për fund tha se rrobat e artefaktet e mbetjeve mortore janë në gjendje të mirë dhe është gjetur një lokacion në temperaturë konstante dhe ato janë mirë të ruajtura.

Artikuj të ngjashëm