Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë, ka thënë se lufta është kthyer sërish në kërcënim real në Ballkan.
“Më lejoni të flas drejtpërdrejt, pasi sa i përket sigurisë ndodhemi ndërkohë në një pikë shumë të vështirë. Më kujton situatën para 20 vjetëve. Edhe atëherë paralajmëronim që lufta do të ishte e pashmangshme, por askush nuk na merrte seriozisht. Sot përsëri po të përballemi rrezikun e një konflikti. Prandaj duhet të jemi shumë të qartë - mes nesh, evropianëve të vërtetë, këtu në rajon, dhe me partnerët tanë të fuqishëm evropianë, dhe mbi të gjitha me aleatët tanë amerikanë. Injorimi i realitetit asnjëherë nuk është zgjidhje e mirë. Nuk ka qenë një zgjidhje e mirë as në vitet e 1990-ta dhe do të ishte një zgjedhje e rrezikshme edhe tani. Javën e kaluar morëm pjesë në Forumin e Sigurisë në Halifax të Kanadasë për të alarmuar zyrtarët e NATO-s dhe të SHBA-vë, senatorët, partnerët dhe aleatët e tjerë. Fatkeqësisht nuk kemi të bëjmë më me një krizë, e cila do të zgjidhet vetëm duke dërguar në rajon disa diplomatë. Thjesht kemi pritur tepër gjatë dhe ngritja e mjeteve ushtarake, politike dhe propagandistike ka vazhduar për më shumë se një dekadë”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla ka shtuar se duhet marrë hapa të guximshëm ndaj vendeve që po destabilizojnë rajonin, si Serbisë e Rusisë, e pjesërisht edhe ndaj Kinës, për ta zbutur rrezikun e madh.
“Është e dhimbshme, por fatkeqësisht e vërtetë: lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin. Asnjëherë që nga vitet e 90-ta fjala luftë nuk është përmendur kaq shpesh sa tani. Dhe asnjëherë që nga vitet e 90-ta, udhëheqësia agresive dhe nacionaliste e Serbisë nuk e ka përdorur një gjuhë kaq të ngjashme me atë të përdorur nga Millosheviqi. Asnjëherë që nga vitet e 90-ta propaganda agresive nacionaliste për audiencën serbe nuk është përgatitur në mënyrë kaq strategjike nga qeveria në Beograd. Duhet t'i shikojmë thjesht përpjekjet e Dodikut, Vuçiçit dhe Putinit në Bosnjë dhe e shihni se copëtimi i shteteve, i iniciuar nga Serbia dhe Rusia, është në tavolinë”, tha Gërvalla.
Gërvalla ka thënë se duhet ulur e të analizohet mirë ajo që po ndodh në terren.
“Këtu nuk bëhet fjalë më vetëm për bisedime diplomatike. Le të bisedojmë si evropianë të vërtetë, NATO dhe SHBA me qëllim të evitimit të asaj që mund të ndodhë nëse nuk veprojmë siç duhet dhe me vendosmëri”, tha ajo.