Profesori i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, ka pasur kritika për raportimin e disa mediave që kanë bërë për rastin që tronditi Kosovën të mërkurën, ku u ushtrua dhunë fizike ndaj të moshuarës në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.
Sipas Gërgurit, gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm në raste të tilla të ndjeshme. Thotë se ashtu si e paraqesin mediat rastin, reagon edhe publiku. Pati kritika për disa media që në video nuk iu mbulua fytyra të moshuarës që përjetoi dhunë.
“Situata të tilla janë të ndjeshme. Vetë gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm se si e përcjellin një ngjarje të tillë pasi publiku reagon ashtu siç përcillet. Disa media riviktimizonin të moshuarën duke e shfaqur në video, duke mos ia mbuluar fytyrën. Për të moshuarën duhet të jemi të kujdesshëm që të mos japim informacione. Gazetari duhet të niset nga parimi i interesit publik, jo të shkojë tutje, sepse po shkove tutje nuk e di ku mbaron”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Profesori i Gazetarisë e cilësoi si joetike edhe shkuarjen e disa mediave në shtëpinë ku jetonte e moshuara.
“Në këso raste, gazetarët duhet të jenë të vëmendshëm të mos tejkalojnë kufirin deri ku duhet të shkojnë. Publikut mund t’i interesojë, por gazetari duhet ta dijë deri ku është interesi publik. As etika gazetareske nuk e lejon të shkohet në shtëpi”, ka shtuar ai.
Gërguri ka thënë se raportimi i mediave për të moshuarën është çështje për t’u diskutuar, që herë të tjera të kemi kujdes. Ai ka përmendur edhe afishet që janë shpërndarë sot në protestën që u mbajt në Gjakovë për këtë rast. Gërguri ka fajësuar mediat si një nga arsyet pse mllefi i qytetarëve është rritur për këtë rast.
Edhe
Kërkohet rishikimi i aktakuzës ndaj tri infermiereve që sulmuan të moshuarën në Pejë
“Duhet ta kuptojmë që dhunën nuk mund ta mundim me dhunë. Nuk duhet të lejojmë të nxisim gjuhë të urrejtjes”, u shpreh ai.
Por Gërguri gjithashtu është shprehur se shoqërisë kosovare i mungon edukimi medial. Për këtë, thekson se nuk po ndërmerret asgjë institucionalisht.
Rasti kur një e moshuar dhunohet fizikisht nga një infermiere në shtëpinë e pleqve “Orenda” bëri bujë të madhe në Kosovë të mërkurën. U arrestuan tre infermiere të cilat shiheshin në video. Ndaj tyre u caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.